Një hulumtim i thelluar i kryer nga VNA mbi deklarimet zyrtare të pasurisë për vitin 2025 zbulon prapaskenat e financave të familjarëve të kabinetit qeveritar. Prapa posteve të larta shtetërore fshihet një rrjet i ndërlidhur interesash financiare, ku bashkëshortët, bashkëjetuesit dhe fëmijët e ministrave arkëtojnë të ardhura të konsiderueshme nga kompani private të fuqishme, borde shtetërore, fondacione apo kontrata qiraje me shifra marramendëse.
Nëpërmjet këtij investigimi, VNA sjell panoramën e plotë të të ardhurave të familjarëve të zyrtarëve më të lartë të shtetit, duke i konvertuar të gjitha shifrat në Euro për një lexim sa më të qartë dhe transparent.
Fijet e financave: Ku punojnë dhe sa fitojnë familjarët e ministrave?
Albana Koçiu (Zëvendëskryeministre) Bashkëshorti i zëvendëskryeministres, Arbër Misja, siguron të ardhura kryesisht nga sektori publik dhe bordet drejtuese. Për vitin 2025, ai ka deklaruar rreth 21,638 Euro pagë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, si dhe rreth 5,072 Euro nga pjesëmarrja në këshillin drejtues të Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë, duke kapur një total prej rreth 26,710 Euro.
Petrit Malaj (Ministër i Financave) Familja e kreut të Financave arkëton të ardhura mjaft të larta nga sektori privat ndërkombëtar. Bashkëshortja e tij, Ana Malaj, ka deklaruar për vitin 2025 një pagë vjetore prej 60,305 Euro nga kompania e njohur e shërbimeve financiare dhe kreditore CRIF SPA.
Blendi Gonxhja (Ministër i Turizmit) Të ardhurat e familjes Gonxhja dominohen nga biznesi privat dhe qiratë e favorshme. Bashkëshortja e tij, Elda Gonxhja, ka realizuar rreth 51,000 Euro nga dhënia e pasurisë me qira, si dhe rreth 37,104 Euro pagë nga kompania Albarent (pothuajse 88,104 Euro në total). Po ashtu, i biri, Dante Gonxhja, punon në të njëjtën kompani (Albarent), ku ka deklaruar një pagë vjetore prej rreth 41,544 Euro.
Mirela Kumbaro (Ministre e Arsimit) Në familjen e ministres Kumbaro, të ardhurat rrjedhin nga media, agjencitë shtetërore dhe jashtë vendit. Bashkëshorti i saj, Aleksandër Furxhi, ka deklaruar rreth 36,000 Euro nga kontrata civile dhe honorare me Media Vizion Sh.a. Vajza e saj, Sara Furxhi, ka deklaruar 11,936 Euro pagë të akumuluar nga tri kompani të ndryshme (3,721 Euro nga SASSON, 2,046 Euro nga FOL73 dhe 6,169 Euro nga Atoll 75). Ndërsa i biri, Tom Furxhi, është i punësuar në strukturat shtetërore, ku nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes ka përfituar rreth 14,634 Euro pagë.
Klodiana Spahiu (Ministre e Shëndetësisë) Ministrja e re e Shëndetësisë paraqet një strukturë mjaft të larmishme të të ardhurave familjare me shtrirje nga spitalet e deri te klinikat gjermane. Bashkëshorti i saj, Eduard Spahiu, ka deklaruar në total rreth 30,076 Euro, të cilat përbëhen nga fitimi i personit fizik (~6,000 Euro), paga nga Spitali Rajonal Durrës (~13,470 Euro), paga nga Universiteti Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë” (1,657 Euro), të ardhura të tjera dytësore (~7,076 Euro në total) si dhe interesa bankare (~421 Euro). Nga ana tjetër, e bija, Dea Spahiu, ka realizuar 24,300 Euro nga paga në mjekësi në Gjermani (7,113 Euro nga Klinikum Aschaffenburg dhe 17,186 Euro nga Deutsche Herzzentrum München).
Ermal Nufi (Ministër i Mbrojtjes) Bashkëshortja e ministrit të Mbrojtjes, Lisarta Nufi, kombinon sektorin publik me atë të energjisë. Ajo ka deklaruar rreth 18,579 Euro pagë nga KESH sha, rreth 3,972 Euro nga pjesëmarrja në bordin e Sena Solar Energy Albania SHA, si dhe rreth 954 Euro pagë nga Avokatura e Shtetit, duke arritur një total prej rreth 23,505 Euro.
Ferit Hoxha (Ministër i Jashtëm) Kreu i diplomacise nuk ka deklaruar bashkëshorte apo bashkejetuese, por ka deklaruar të ardhurat e dy djemve të tij. Djali i tij, Maximilien Nèmo Kastriot Hoxha, deklaron një pagë prej 32,415 Euro nga kompania ndërkombëtare e konsulencës WAVESTONE. Ndërsa djali tjetër, Gabriel Lèo Paul Ferit Hoxha, deklaron vetëm një gjendje në llogari bankare prej rreth 500 Euro.
Enea Karakaçi (Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë) Bashkëjetuesja e ministrit Karakaçi, Eda Jasini, siguron të ardhura per vitin 2025 nga kompania private Pik shpk. Për vitin 2025, ajo ka deklaruar rreth 16,250 Euro pagë vjetore si dhe rreth 176 Euro të ardhura nga dietat pranë këtij subjekti, me një total prej rreth 16,426 Euro.
Besfort Lamallari (Ministër i Brendshëm) Bashkëjetuesja e ministrit të Brendshëm, Anisa Pashaj, financohet nga një agjenci shtetërore. Ajo ka deklaruar për vitin 2025 një pagë prej rreth 10,266 Euro nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore.
Paradoksi i ministrit të Drejtësisë: Toni Gogu me djalin në borxhe 50 mijë euro!
Një rast i veçantë që bie vireshëm në sy gjatë hulumtimit të VNA-së është ai i ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. Përveç të ardhurave të zakonshme familjare, deklarata e pasurisë shpërfaq një detaj financat të papritur te brezi i ri i familjes.
Bashkëshortja e tij, Edi Gogu, ka deklaruar rreth 9,782 Euro pagë nga Fondacioni “Gjerasim D. Qiriazi” si dhe rreth 1,600 Euro nga honoraret (gjithsej ~11,382 Euro). Vajza e tij, Antonia Gogu, ka fituar 10,191 Euro nga paga pranë kompanisë gjigante të auditimit Deloitte Albania sh.p.k.
Mirëpo, vëmendjen e tërheq i biri, Teojorg Gogu. Ndërsa ka deklaruar vetëm rreth 1,990 Euro pagë nga SIAME shpk dhe rreth 886 Euro të ardhura nga bursa (~2,876.50 gjithsej), ai ka deklaruar zyrtarisht një borxh të madh prej 50,000 Eurosh. Ky detyrim financiar bie në sy përballë të ardhurave modeste vjetore që ai realizon.
Kabineti i “të vetmuarve”: Zyrtarët pa bashkëshortë e pa deklarime familjare
Hulumtimi i VNA-së sjell në vëmendje edhe një grup të madh anëtarësh të kabinetit të cilët zyrtarisht në letrat e pasurisë nuk kanë deklaruar asnjë partner, bashkëshort apo bashkëjetues, duke i kaluar të gjitha detyrimet e kontrollit financiar vetëm mbi emrin e tyre personal.
Diella (Ministrja e Inteligjencës Artificiale): Krijesa virtuale e kabinetit deri tani nuk ka as bashkëshort dhe nuk deklaron asnjë pasuri apo kosto publike në këtë formë.
Delina Ibrahimaj (Ministre e Ekonomisë): Megjithëse partneri i saj është lakuar shpesh në publik për përfshirje apo zhvillime të ndryshme, zyrtarisht në deklaratën e pasurisë ajo nuk ka deklaruar bashkëshort apo bashkëjetues.
Adea Pirdeni (Ministre për Administratën): Edhe pse pak muaj më parë u bë nënë e një djali, zyrtarisht në letrat e pasurisë rezulton e vetme.
Andis Salla (Ministër i Bujqësisë): Nuk ka deklaruar asnjë marrëdhënie martese apo bashkëjetese.
Sofjan Jaupaj (Ministër i Mjedisit): Nuk ka të regjistruar asnjë lidhje apo bashkëjetesë zyrtare.
Majlinda Dhuka (Kryenegociatore me BE): Rezulton plotësisht e vetme në deklarimin e saj.
Ervin Demo (Ministër i Pushtetit Vendor): Nuk ka deklaruar bashkëshortë apo partnerë.
Erjona Ismaili (Ministre për Parlamentin): Gjithashtu nuk ka deklaruar asnjë bashkëjetues apo anëtar përkatës në letrat e pasurisë.
Hulumtimi i VNA-së tregon qartë se si pushteti dhe biznesi ndërthuren në mënyrë të pandashme, ku emrat e kompanive private, bordeve shtetërore dhe transaksioneve të mëdha financiare rrethojnë në çdo hap familjarët e njerëzve që drejtojnë vendin.
Marrë nga VNA.al