Mark Gjonaj, politikani shqiptaro-amerikan që shërbeu në Këshillin e Qytetit të Nju Jorkut, i ka shkruar një letër kryeministrit Edi Rama dhe i kërkon drejtpërdrejt, të japë dorëheqjen për shkak të dhunës policore ndaj studentëve.
Ai njofton edhe dorëheqjen e tij nga pozicioni si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, duke vënë në dijeni krerët e shtetit, ndërsa thekson se asnjë fitore politike nuk vlen sa jeta e një shqiptari të vetëm.
“Ndërgjegjja ime nuk më lejon të vazhdoj të shërbej në një këshill që funksionon nën këtë administratë. Me efekt të menjëhershëm, jap dorëheqjen si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës”, thotë ai.
Mark Gjonaj thotë se është i tronditur nga përgjigja që qeveria e Edi Ramës i ka dhënë studentëve, me dhunë policore, frikësim dhe kërcënime.
“Për të rikthyer stabilitetin dhe për të parandaluar trazira të mëtejshme apo çdo humbje jete, ju bëj thirrje, Kryeministër Rama, të jepni dorëheqjen. Ndryshimi i udhëheqjes është rruga më e qartë për të rindërtuar besimin e publikut te qeveria”, shkruan ai.
Mark Gjonaj shprehet në letrën e tij drejtuar Edi Ramës, se dorëheqja e tij do t’i mundësonte Shqipërisë të nisë një kapitull të ri, të mbështetur në vlerat demokratike, shtetin e së drejtës, llogaridhënien dhe transparencën.
Marrë nga Newsbomb.al