Kryeministrit Edi Rama i nevojitet më shumë se kurrë propaganda e patronazhuar e OJF-ve, tani kur është bërë objekt i protestës, është shtuar pakënaqësia masive e presioni ndërkombëtar, ndërkohë që ministra, deputetë, drejtorë qendrorë e kryebashkiakë janë subjekte të SPAK-ut.
Por OJF-të kërkojnë e marrin miliona nga taksat, që të shërbejnë si lustruese të imazhit të kryeministrit Edi Rama dhe tellalle të propagandës së pushtetit, pazar që u bë javën e kaluar.
Një informacion i “Pamfleti”-t brenda Ministrisë së Financave ka bërë me dije se Edi Rama i ka dhënë urdhër ministrit Petrit Malaj të sajojë një fond të posaçëm shtesë për rifinancimin e OJF-ve për vitin 2026, duke e hequr nga fondet që nuk u realizuan në 3-mujorin e tretë.
Vlerën e financimit të OJF-ve, kryeministri Edi Rama e ka përcaktuar 9 miliardë lekë të vjetra shtesë dhe ministri Petrit Malaj e ka zbatuar urdhrin.
Ndërsa përfituese edhe për këtë grand do të jenë ato OJF të përzgjedhura si shërbëtore të propagandës së qeverisë e që janë “ushqyer” me miliona në vitet 2014-2026 nga buxheti i shtetit.
Ministri Malaj e ka zbatuar urdhrin menjëherë, ndërsa shpërndarja e vlerës 9 miliardë lekë formalisht do të kryhet nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC).
Kjo agjenci, me maskë si shoqëri civile, është strukturë e Kryeministrisë në vartësi të Edi Ramës, dhe ka 12 nëpunës e 9 anëtarë bordi, mes tyre Elira Kokona e Korporatës së Investimeve.
Këto miliona do të paguhen e do të justifikohen me propagandën e OJF-ve që do t’i marrin, për gjoja monitorimin e politikave të suksesshme të qeverisë dhe arritjet në minimizimin e korrupsionit; suksesin e startup-eve, angazhimin qytetar, pjesëmarrjen e të rinjve në bashkëqeverisje, shtimin e shërbimeve sociale, rritjen e mirëqenies në grupet vulnerabël, luftën kundër dezinformimit etj.
Fondi 9 miliardë lekë tashmë i akorduar është fond shtesë mbi vlerën 33 milionë euro, që sipas të dhënave nga Thesari i Shtetit, qeveria u ka dhënë OJF-ve gjatë periudhës janar-shtator 2026.
Po sipas Thesarit, rezulton se gjatë viteve 2014-2026, kryeministri Edi Rama me vendime qeverie e direkt nga buxheti i shtetit u ka dhënë 160 miliardë lekë të vjetra OJF-ve që kanë shërbyer si tellalle të propagandës së qeverisë edhe nëpër ekranet televizive e platformat sociale.
Fondet nga taksat publike që u janë dhënë OJF mbështetëse të pushtetit “Rama”:
· Për vitin 2014, u janë dhënë 5 miliardë e 61 milionë lekë të vjetra.
· Për vitin 2015, u janë dhënë 7 miliardë e 240 milionë lekë.
· Për vitin 2016, u janë dhënë 12 miliardë lekë.
· Për vitin 2017, u janë dhënë 5 miliardë e 820 milionë lekë.
· Për vitin 2018, u janë dhënë 4 miliardë e 980 milionë lekë.
· Për vitin 2019, u janë dhënë 4 miliardë e 900 milionë lekë.
· Për vitin 2020, u janë dhënë 5 miliardë e 510 milionë lekë.
· Për vitin 2021, u janë dhënë 7 miliardë e 300 milionë lekë.
· Për vitin 2022, u janë dhënë 12 miliardë lekë.
· Për vitin 2023, u janë dhënë 15 miliardë lekë.
· Për vitin 2024, u janë dhënë 16 miliardë lekë.
· Për vitin 2025, u janë dhënë 37 miliardë lekë.
· Për periudhën janar-shtator 2026, OJF-ve u janë dhënë 34 miliardë lekë të vjetra, ndërsa tani, me urdhër të Edi Ramës, ministri Petrit Malaj ka shtuar 9 miliardë lekë OJF-ve të pushtetit.
Financimi shtetëror i OJF-ve nga taksat publike duhet të bëhet objekt hetimi nga SPAK, për të parë ligjshmërinë dhe zbuluar aktivitetin e kryer me këto financime publike.
Marrë nga Pamfleti.net