Ka përfunduar pas tre orësh protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike mbrëmjen e së enjtes.
Qytetarët kishin mbushur sheshin para kryeministrisë dhe kërkonin lirimin e kreut demokrat, Sali Berishën e krijimin e qeverisë teknike.
Protestuesit mbanin duar pankarta me mesazhe të ndryshme, “Suksesi i Ramës, gjithë populli emigrant”, “Onkologjiku: Atë që s’ta bën kanceri ta bën qeveria”, “Hiqi trarët”, “Lironi liderin e opozitës”, “Siç pikturon, qeveris”.
Në nisje të fjalës së kreut demokrat, protestuesit kanë hedhur bomba molotov drej kryeministrisë ndërsa godina u përfshi nga flakët. • Policia ndërhyri menjëherë në fikjen e zjarrit.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmes një videolidhje po mban fjalën e tij në protestën kombëtare të opozitës para kryeministrisë. Berisha u shpreh se dekada e qeverisjes së Edi Ramës ishte dekada e zbrazjes së Shqipërisë. Kryedemokrati u shpreh më tej se Shqipërisë i kanoset një kërcënim akoma më ekzistencial, sepse 83 përqind e shqiptarëve që kanë mbetur, duan të ikin. .Ai tha se spastrimi etnik i butë i Shqipërisë po ndodh, sepse Edi Rama vendosi në Shqipëri kushtet e llogaritshme për dëbimin e butë masiv të shqiptarëve nga vendi i tyre.
Pas fjalës së Berishë protestuesit u zhvendosën nga kryeministria drejt godinës së bashkisë së Tiranës. Ky veprim i kapi të papërgatitur policët të cilët vrapuan drejt godinës për të arritur para protestuesve. Më pas ata hodhën bomba molotov drejt godinës, ku si pasojë shpërtheu në flakë dritarja e institucionit.
Në nisje të protestës ka mbajtur një fjalim edhe regjizori Edmond Budina. Gjatë fjalës së tij Budina u shpreh se sot protestohet për familjet tona, sepse ky pushtet e ka nëpërkëmbur qytetarin, e ka shkatërruar këtë vend si askush tjetër. Sipas tij, skandalet këtu janë bërë normalitet dhe se në krye të vendit qëndron një hajdut, bashkë me bandën e tij.
Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka mbajtur fjalën e tij në tubimin e opozitës, ku u shpreh se qytetarët duhet të mblidhen të gjithë për ti vënë vizën këtij regjimi, që po zhbën Shqipërinë, i cili i ka shndërruar fëmijët në analfabetë funksionalë, siç e tregoi testi i PISA-s.
Qytetarët dhe deputetët e PD e mbyllën tubimin e tyre në selinë blu.