Kryeministri Edi Rama ka bërë paralelizime të rrugëve të shembura në Shqipëri me vendet e tjera në Evropë, në vend që të pranojë përgjegjësinë izolimin e Juglindjes për shkak të shembjes së aksit Librazhd-Prrenjas. Rasti më i fundit i Ramës që ka bërë këtë paralelizëm ka qenë ditën e djeshme, duke publikuar një rrugë të shembur në Portugali.
Krah videos së publikuar, Rama ka nisur një sërë ironish dhe akuzash ndaj Opozitës si dhe mediave në vend, por për asnjë moment nuk ka pranuar përgjegjësitë që ka qeveria në lidhje me shembjen e rrugës.
“Çudi e madhe, në Portugali ka ndodhur kjo nga të njëjtat fenomene, po s’po e marr vesh se mirë opozita portugeze është në gjumë, mirë edhe ato pak tenxhere mediatike të Portugalisë janë me temperaturë të ulët e s’ka vend për gjithë këtë rrugë të re, po si ka mundësi që opozitat e këtushme nuk e kanë denoncuar akoma në SPAK këtë vepër të korrupsionit dhe si është e mundur që 700 tenxheret e flakta të mexhelisit tonë mediatik, nuk kanë thirrur gjithollogët e tyre që të jashtënxjerrin faktet e tmerrshme që fshihen nën asfaltin e këtij korrupsioni qeveritar, ku padyshim është dora e narkoshtetit shqiptar!” shkruan Rama në X.
Por si qëndron e vërteta?
Portugalia në fillim të muajit Shkurt është goditur nga stuhia Kristin, e cila la pas shkatërrime mijëra dollarë, përfshi, ndërtesa, rrugë apo investime. 18 persona kanë humbur jetën në Portugali për shkak të stuhive, të cilat shkaktuan gjithashtu qindra të lënduar dhe persona të zhvendosur.
Qeveria e Portugalisë miratoi të dielën një paketë kredish dhe stimujsh prej 2.5 miliardë eurosh (2.95 miliardë dollarë) për të ndihmuar njerëzit dhe bizneset të rindërtohen pas stuhisë.
Qindra shtëpi, disa rrugë, shkolla, fabrika dhe linja hekurudhore janë prekur. Në bazën ajrore Monte Real pranë Leirias, stuhia dëmtoi disa avionë, përfshirë avionë luftarakë F16. Gjithsej ishin gati 170 mijë familje pa energji elektrike.
Rama të njëjtën retorike ndoqi dhe në fillim të kësaj jave, kur aksi u bllokua komplet dhe nuk kishte asnjë mënyrë kalimi. Por ndryshe nga Portugalia, Rama mori shembullin e Italisë. Duke publikuar një video nga një gropë gjigandë e hapur në një rajon të Italisë, kryeministri theksoi se nuk ka asnjë portal apo parti mediatike që e trajton këtë fatkeqësi natyrore, me histerinë që ndodh në Shqipëri.
“Në Itali po rrëshqet gjatë këtyre ditëve një masiv gjigand që rrezikon të marrë me vete një qytezë të tërë të banuar, po nuk ka ndonjë kanal a qoftë edhe portal në atë vend – parti politike jo e jo – që ta trajtojë fatkeqësinë natyrore me histerinë e këtushme, ku ky avaz është bërë një traditë e ligë,“ shkroi Rama.
Por ndryshe nga Portugalia apo Italia, ku këto ngjarje kanë ndodhur pas një stuhie masive siç është Kristin, aksi Librazhd-Prrenjas u shemb në mes të ditës me diell. Ndërkohë që bashkë më këtë aks, u fundos dhe ura e ndërtuar si dhe rrjeti i hekurudhës apo energjisë elektrike.
Marrë nga Dosja.al