Një shesh, dy protesta, në mes policia. ‘Foltorja’ e pestë e Sali Berishës nisi me incident. Protagonist, Adriatik Lapaj, i cili u përplas me uniformat blu që pastruan perimetrin e sigurisë.
Adriatik Lapaj leshoi ‘karrigen’ e tij për pak orë dhe u spostua në një qoshe, për t’i lënë gjithë sheshin demokratëve, të cilët as këtë herë nuk e mbushën dot plot. Sali Berisha pranoi se demokratët nuk po bëjnë mjaftueshëm për t’i cënuar pushtetin Edi Ramës. Një javë nga protesta kombëtare e 22 dhjetorit ashpërsoi gjuhën dhe kërkoi revoltë.
Prova gjenerale para protestës kombëtare nuk ishte shumë premtuese. Berisha kërkoi sakrifica.
“Në qoftë se më pyesni se cila është më e mira, më kryesorja, zënia për tre javë e këtij sheshi. Kjo është! Këtu duhet të arrimë ne, këtu duhet të betohemi ne”, tha ai.
Grupi parlamentar para se të zbresë në shesh diskutoi disa nga format e rezistencës. Greva e urisë u hodh sërish si opsion nga deputetët.
“Partia Demokratike do të bëj gjithçka për frontin më të gjerë të mundshëm në këtë betejë. Ju garantojë se PD do të përdor të gjitha format e qëndresës, të gjitha format e rezistencës gjer në largimin e tij”, u shpreh Berisha.
Për momentin greva e urisë mbetet vetëm opsion. Sytë janë drejt protestës së 22 dhjetorit ku opozita duhet të flasë me numra. Deputetët do të braktisin këtë javë tryezat e punës në Komisione, për të zbritur në terren për mobilizim të gjerë.
“Po të them se edhe mbrapa diellit po shkove, llogari do japësh për këto që ke bërë Ndaj miqtë e mi, këto ditë, nga e hëna gjer të hënën tjetër, të bëjmë çdo gjë”, tha ai.
Paralelisht me protestën, demokratët do bëjnë betejë në Kushtetuese për të rrëzuar Avokatin e Popullit.
Marrë nga Top Channel