Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka reaguar lidhur me protestat në Shqipëri dhe disa vende të tjera evropiane. Përmes një deklarate ai u ka bërë thirrje autoriteteve dhe protestuesve të ulin tensionet dhe të shmangin përshkallëzimin e dhunës.
Në lidhje me këtë, Türk përmendi protestat në Shqipëri, Belgjikë, Francë, Itali dhe Portugali, duke theksuar se zhvillimet e fundit ngrenë shqetësime për respektimin e të drejtave të njeriut. Ai tha se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të dëgjohen, ndërsa shtetet kanë detyrimin të garantojnë ushtrimin e këtyre lirive.
Komisioneri theksoi se personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi, ndërsa viktimave duhet t’u garantohen mjete efektive ligjore. Në fund, Türk tha se shtetet duhet të angazhohen në dialog kuptimplotë, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv me protestuesit. Kjo veçanërisht me të rinjtë, si dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të adresuar shqetësimet legjitime dhe thelbësore lidhur me të drejtat e njeriut.
“Protestat masive në Shqipëri, Belgjikë, Francë, Itali dhe Portugali po ngrenë shqetësime lidhur me të drejtat e njeriut. Dënoj të gjitha aktet e dhunës dhe u bëj thirrje të gjithë të përfshirëve që të ulin tensionet dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës. Rruga më e mirë dhe e vetme përpara është dialogu gjithëpërfshirës dhe i zhvilluar në kushte sigurie.
Njerëzit kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të dëgjohen. Shtetet kanë detyrimin t’i mundësojnë dhe t’i garantojnë këto të drejta. Shpreh keqardhjen e thellë për veprimet e atyre që shfrytëzojnë protestat për të kryer akte dhune dhe vandalizmi ndaj pronës publike dhe private. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi individuale për veprimet e tyre.
Jam i shqetësuar nga raportimet për përdorim të panevojshëm dhe të tepruar të forcës ndaj protestuesve, përfshirë edhe fëmijët. Shtetet duhet të garantojnë që çdo ndërhyrje e organeve ligjzbatuese të jetë në përputhje me ligjin, e domosdoshme dhe proporcionale. Çdo pretendim për përdorim të paligjshëm të forcës duhet të hetohet pa vonesë, në mënyrë efektive dhe të pavarur, duke garantuar vënien para përgjegjësisë të personave përgjegjës dhe mjete juridike efektive për viktimat.
Vërej se autoritetet kanë ndërmarrë tashmë disa hapa për hetimin e incidenteve dhe uljen e tensioneve. I nxis më tej shtetet që të angazhohen në dialog kuptimplotë, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv me protestuesit, veçanërisht me të rinjtë, si dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të adresuar shqetësimet legjitime dhe thelbësore lidhur me të drejtat e njeriut, që kanë të bëjnë me arsimin, shërbimet publike, strehimin, rritjen e kostos së jetesës dhe pabarazinë”, shprehet Volker Turk.
Marrë nga Dosja.al