KthjellKthjellKthjell
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Leximi: Rama pretendon se një dron me eksploziv synonte Kryeministrinë
Share
Njoftim Shfaq më shumë
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
KthjellKthjell
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
  • Editorial
  • Politike
  • Bota
  • Ekonomi
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Kthjell > Blog > Editorial > Analize > Rama pretendon se një dron me eksploziv synonte Kryeministrinë
AnalizeFokusKryesoreOpinionPolitikeSociale

Rama pretendon se një dron me eksploziv synonte Kryeministrinë

Përditësimi i fundit: 19 Tetor, 2026 7:34 am
29 Shikime
Share
11 Min. Leximi
SHARE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të dielën se autoritetet e kishin neutralizuar një “dron me eksploziv”, që, sipas tij, synonte ta godiste ndërtesën e Kryeministrisë në Tiranë. Ai gjithashtu akuzoi aktorë të huaj për ndërhyrje në protestat e dhunshme kundër Qeverisë, duke përmendur Iranin si burim të dezinformimit.

Protestat e udhëhequra nga studentët, të nxitura nga zemërimi për korrupsionin e perceptuar qeveritar, mungesën e vendeve të punës dhe cilësinë e dobët të arsimit, kanë përfshirë qendrën e Tiranës dhe janë përhapur edhe në qytete të tjera gjatë javës së fundit.

Dhuna shpërtheu sërish të dielën, pasi mijëra protestues u mblodhën para Ministrisë së Arsimit dhe hodhën gurë në drejtim të policisë kundër trazirave, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome.

Trazirat e dhunshme kanë shkaktuar të lënduar mes policëve dhe protestuesve dhe dëme materiale, duke nxitur thirrje për vetëpërmbajtje.

Në një adresim publik, Rama tha se droni ishte neutralizuar dy ditë më parë dhe se synonte t’i vinte zjarrin oborrit të brendshëm të Kryeministrisë, me “pasoja potencialisht të rënda”.

“Kjo është një dorë e huaj”, shtoi ai, duke pretenduar se një operacion i tillë nuk mund të ishte menduar apo organizuar nga studentët dhe të rinjtë shqiptarë që po protestojnë.

Rama nuk identifikoi personat apo grupet që dyshohet se qëndrojnë pas incidentit dhe nuk paraqiti prova për pretendimet e tij.

Radio Evropa e Lirë i ka kontaktuar Prokurorinë dhe Policinë në Shqipëri për koment lidhur me këtë, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Kryeministri shqiptar gjithashtu pretendoi se ekzistojnë të dhëna për ndërhyrje të huaja në rrjetet sociale, të cilat, sipas tij, synojnë të nxisin destabilizimin e vendit.

“Ne kemi shumë të dhëna, do vazhdojmë ta pasurojmë atë që kemi nisur qysh në krye të herës me interferencën në rrjetet sociale të atyre ‘duarve të huaja’”, tha Rama.

Ai përmendi shprehimisht Iranin, të cilin e cilësoi si një prej burimeve të dezinformimit, duke thënë se “ku, natyrisht, një dorë tjetër është republika Khomeiniste e Iranit, kulmi i dezinformimit”.

Rama iu referua edhe një postimi të Aleksandr Duginit, një nga ideologët kryesorë të Kremlinit dhe mik i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin.

Pa e përmendur Duginin me emër, Rama e cilësoi atë si “babain ideologjik” dhe “udhëheqësin shpirtëror” të Putinit.

Në një postim në rrjetin social X, më 17 tetor, Dugin i përshkroi shqiptarët si “popull shumë interesant dhe trim”, duke shkruar se “po zgjohen tani”. Ai iu referua gjithashtu rolit të të krishterëve ortodoksë në ndërtimin e shtetit shqiptar dhe traditës sufiste të islamit në vend.

Deklaratat e tij vijnë në kohën kur Shqipëria po përballet me protesta kundër Qeverisë, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit.

Rama pretendoi se një grup prej 200 deri në 300 personash të maskuar, që sipas tij nuk kanë lidhje me studentët, po e shkakton pjesën më të madhe të dhunës.

Ai akuzoi gjithashtu kundërshtarët politikë për nxitjen dhe organizimin e trazirave, duke pretenduar se sulmet ndaj bankave dhe bizneseve synojnë të përhapin panik në vend.

Kryeministri pranoi se të rinjtë kanë pakënaqësi dhe kërkojnë ndryshime, por pretendoi se protestat po shfrytëzohen nga grupe të organizuara dhe interesa politike.

Rama sërish hedh poshtë kërkesat për dorëheqje

Studentët thonë se po protestojnë kundër kostove të larta të arsimit dhe korrupsionit qeveritar, ndërsa kërkesë kryesore kanë dorëheqjen e Qeverisë së udhëhequr nga Edi Rama.

Megjithatë, Rama përsëri i refuzoi kërkesat për dorëheqje të dielën, duke paralajmëruar se një ndryshim i pushtetit në këto rrethana mund të pengojë procesin e integrimit evropian.

“Këtu në lojë është tryeza e negociatave në BE”, tha Rama.

Sipas tij, kalendari i negociatave parasheh përfundimin e tyre deri në fund të vitit 2027, ndërsa Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

Megjithatë, ai u shpreh i gatshëm për dialog me studentët dhe qytetarët, duke i ftuar të diskutojnë kërkesat e tyre në Kryeministri, në fakultete apo në vende të tjera.

Rama përmendi gjithashtu një projektligj për strehimin social dhe të përballueshëm, që, sipas tij, parasheh 2.000 kredi me interes zero për kategori të caktuara të të rinjve dhe profesionistëve, 2.000 kredi të tjera me interes 3 për qind, si dhe mbështetje për pagesën e qirasë për 3.000 apartamente.

Ai tha se masat janë pjesë e programit qeverisës, por se zbatimi i tyre ishte përshpejtuar edhe si rezultat i pakënaqësive të shprehura gjatë protestave.

Rama këmbënguli se Qeveria nuk do të tërhiqet përballë dhunës, duke paralajmëruar masa më të ashpra ndaj personave të maskuar që sulmojnë policinë dhe institucionet.

Gjatë pesë ditëve të trazirave, protestuesit ua kanë vënë zjarrin institucioneve qeveritare, bankave dhe kanë dëmtuar biznese private, duke bërë thirrje për dorëheqjen e Ramës.

Ata gjithashtu kanë hedhur gurë, bomba molotovi dhe mjete piroteknike drejt policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome për t’i shpërndarë.

Si pasojë, rreth 169 policë dhe 82 protestues dhe 21 kalimtarë rasti janë lënduar në pesë ditët e protestave.

Policia tha të shtunën deri më tani janë arrestuar 167 protestues, teksa ka proceduar penalisht 388 të tjerë për përdorimin e dhunës.

Ndërkohë, zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, u bëri thirrje të dielën prindërve dhe kujdestarëve që të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve dhe adoleshentëve në protesta të dhunshme, duke paralajmëruar për rreziqet që mund t’i ekspozojnë ndaj lëndimeve dhe pasojave psikologjike.

“Të miturit nuk duhet të përfshihen në përplasje dhe nuk mund të mbajnë përgjegjësi për veprimet e personave që i nxisin drejt dhunës. Mbrojtja e fëmijëve është një prioritet për të gjithë ne”, tha Ruseti.

Pas akuzave për dhunë të tepruar të policisë në protesta, Ruseti tha se Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar që çdo veprim policor të jetë i ligjshëm, proporcional dhe vetëm atëherë kur është i nevojshëm.

“Standardet evropiane kërkojnë që menaxhimi i protestave të mbështetet në komunikim, ulje të tensioneve dhe përdorim të forcës vetëm kur është i domosdoshëm dhe në masën minimale të nevojshme, ky standard duhet të udhëheqë veprimtarinë dhe punën e Policisë së Shtetit”, tha ajo.

Albert Nushi, nga Departamenti i Sigurisë Publike, tha të dielën për media se Policia e Shtetit prej gjashtë ditësh po përballet me “sulme të pandërprera” nga grupe personash të maskuar.

Ai gjithashtu e arsyetoi zhvendosjen e RENEA-s, njësisë speciale elitare të Policisë së Shtetit të Shqipërisë, në zmbrapsjen e protestuesve të shtunën.

Nushi theksoi se, për ta mbrojtur jetën e punonjësve të policisë në terren, të cilët janë të paarmatosur në zbatim të ligjit për tubimet, në terren kanë dalë edhe strukturat speciale RENEA, pasi, bazuar në telefonatën e ardhur në sallën operative, ekzistonte rreziku për jetën e punonjësve të Policisë.

“Ditën e djeshme, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka ardhur një telefonatë, sipas së cilës, mes protestuesve kishte elementë të armatosur dhe po qëllohej me armë zjarri në momentin e sulmeve me lëndë piroteknike ndaj Policisë”, tha ai.

Ai i hodhi poshtë si të pavërteta lajmet e publikuara se kishin ardhur oficerë nga policitë partnere për të menaxhuar tubimin.

Thirrje nga SHBA-ja kundër dhunës në Shqipëri

Ambasada amerikane në Tiranë u bëri thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi.

“Dhuna, trazirat, lëndimi fizik i të tjerëve dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që zgjedhin të demonstrojnë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë në mënyrë paqësore, pa akte të dhunshme”, tha Ambasada në rrjetet sociale të shtunën.

Reagime të shtunën kishte dhe nga kongresistë amerikanë.

Kongresisti Joe Wilson shprehu shqetësim për përshkallëzimin e dhunës dhe i bëri thirrje Qeverisë të përmbahet nga çdo dhunë ndaj protestuesve.

“Populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale”, shkroi ai në X, duke shtuar se të rinjtë meritojnë të kenë zë në të ardhmen e vendit të tyre.

Keith Self, kongresist republikan, tha se protestat në Shqipëri janë “kulmimi i mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe i lodhjes së tyre nga shpërfillja e plotë e sundimit të ligjit”.

“Udhëheqësit e Shqipërisë duhet t’u kushtojnë vëmendje thirrjeve për ndryshime thelbësore, që do të krijojnë mundësi ekonomike dhe do të nxisin stabilitetin rajonal”, tha Self në X.

Kongresisti tjetër, Robert Aderholt, tha se ndihet “thellësisht i shqetësuar” për përshkallëzimin e trazirave në Shqipëri, aleaten SHBA-së në NATO.

“Të gjitha palët duhet ta refuzojnë dhunën, ndërsa Aeveria duhet të respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë. Të rinjtë shqiptarë meritojnë të kenë zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre”, tha ai.

 

Marrë nga Radio Evropa e Lirë

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Francë: Protestat me sulme ndaj policisë, plaçkitje dhe zjarrvënie

Miliarda euro, të shpenzuara në kundërshtim me rregullat e BE-së

Receta ballkanike e pushtetit jetëgjatë

A do të ketë zgjedhje të drejta në Serbi, fundjavën e ardhshme?

Çka po ndodhë në Shqipëri dhe si të dilet tutje?

Share This Article
Facebook Twitter Whatsapp Whatsapp LinkedIn Telegram Kopjo lidhjen Print
Share
Artikulli i mëparshëm Çka po ndodhë në Shqipëri dhe si të dilet tutje?
Artikulli tjetër A do të ketë zgjedhje të drejta në Serbi, fundjavën e ardhshme?

Na ndiqni në rrjetet sociale

FacebookLike
InstagramFollow
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image

Më të fundit

Zgjerohet harta e protestës, nisin shoqërimet në Burrel, thyhen xhamat e Pallatit të Kulturës në Laç
Aktuale Analize Fokus Kryesore 16 Tetor, 2026
LE MONDE: Revolta shpërtheu pas indiferencës së Edi Ramës
Analize Fokus Kryesore Opinion Sociale Zhvillim 16 Tetor, 2026
Dita e tretë e përplasjeve në Shqipëri, protestat kundër qeverisë zgjerohen
Analize Fokus Kryesore Opinion Sociale Zhvillim 16 Tetor, 2026
Pika e vlimit!
Analize Fokus Kryesore Opinion Sociale Zhvillim 16 Tetor, 2026
//

Kthjell është revista juaj online e lajmeve që ofron përmbajtje tërheqëse dhe informuese për çdo interes. Qëndroni të përditësuar me zhvillimet më të fundit në teknologji dhe shkencë, merrni frymëzim për dizajnin dhe dekorimin e ambienteve, dhe përmirësoni jetën tuaj me këshilla të ekspertëve për mirëqenien personale. Zhytuni në botën e pasur të artit dhe kulturës, eksploroni destinacione të reja udhëtimi dhe mësoni shumë më tepër. Kthjell është porta juaj për të zbuluar, për t’u informuar dhe për t’u frymëzuar çdo ditë. Bashkohuni me ne në këtë udhëtim të vazhdueshëm eksplorimi dhe zbulimi.

KthjellKthjell
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.