Kreu i SPAK Altin Dumani, pritet të raportojë në seancën e sotme në parlament mbi punën një vjeçare të Prokurorisë së Posaçme.
Rreth një muaj më parë, Dumani paraqiti në Komisionin e Ligjeve raportin vjetor mbi punën e institucionit që ai drejton.
Gjatë raportimit ai u ndal tek arrestimi i zyrtarëve të nivelit të lartë, ndërsa përmendi edhe magjistratë të shkarkuar nga vetting-u.
Kreu i SPAK publikoi edhe shifrat gjatë 2023, ku tha se janë sekuestruar 41 mln euro pasuri.
Sipas tij, 237 të paraburgosur ka pasur prej SPAK-ut, më pak se 9% e totalit të personave në paraburgim.
Dumani, në fjalën e tij, ngriti edhe shqetësimin e “fatit” të prokurorëve të SPAK-ut, pas mbarimit të mandatit. Ai i bëri një thirrje Kuvendit për një përcaktim të qartë ligjor. Sipas tij kjo Strukturë e Posaçme ka nevojë për burime njerëzore.
Dumani u bëri thirrje institucioneve që të bashkëpunojnë me SPAK-un për të luftuar korrupsionin.
Sa i përket Komisonit të Posaçëm që do të thërrasë në apel institucionet e vendit, Dumani tha se duhet të mbrohet pavarësia institucionale dhe të respektohen pushtetet.