Nga gjobat për protestuesit te kontrollet në kufi, nga regjistrat elektronikë te mijëra kamerat inteligjente, qeveria Rama po zgjeron mekanizmat e mbikëqyrjes dhe të kontrollit mbi qytetarët.
Rasti i pedagogut Ermal Hasimja, i veçuar në aeroportin e Rinasit pas një sinjalizimi që, sipas policisë, mund të lidhej me pjesëmarrjen e tij në protesta, e bën këtë shqetësim edhe më konkret.
Pyetja që shtrohet është nëse Shqipëria po shkon drejt një modeli, ku teknologjia dhe administrata nuk përdoren vetëm për të garantuar sigurinë, por edhe për të disiplinuar qytetarin.
Në Kinën komuniste, pushteti ka ndërtuar një sistem të gjerë mbikëqyrjeje, ku të dhënat mbi sjelljen e individëve mund të përdoren për t’u kufizuar mundësitë dhe për t’i ndëshkuar administrativisht.
Ky mekanizëm njihet si Sistemi i Kreditit Social. Ndryshe nga perceptimi i përhapur, nuk bëhet fjalë për një sistem të vetëm pikëzimi për çdo qytetar, por për një rrjet mekanizmash administrativë dhe teknologjikë që i japin shtetit mundësi të gjera monitorimi.
Atje penalitetet mund të shkojnë përtej gjobave. Personave të klasifikuar si “të pabesueshëm”, mund t’u kufizohet blerja e biletave të avionit dhe trenave të shpejtësisë së lartë, marrja e kredive apo ushtrimi i disa aktiviteteve ekonomike.
Në raste të caktuara, pasojat prekin edhe mundësitë arsimore e profesionale të familjarëve. Kështu, sistemi nuk ndëshkon vetëm shkeljen, por synon të disiplinojë sjelljen e individit përmes kufizimit të jetës së përditshme.
Shqipëria nuk ka nevojë të kopjojë pikë për pikë modelin kinez për të përvetësuar logjikën e tij të kontrollit. Ngjashmëria qëndron te mënyra se si pushteti fillon ta trajtojë qytetarin jo thjesht si bartës të drejtash, por si subjekt që duhet monitoruar, regjistruar dhe ndëshkuar kur kundërshton vendimet e tij.
Rasti i Ermal Hasimjes është domethënës pikërisht në këtë kontekst. Dje pedagogu dhe politologu tregoi se gjatë kontrollit të pasaportës në Rinas ishte veçuar nga udhëtarët e tjerë dhe ishte shoqëruar në zyrën e drejtuesit të policisë.
Sipas rrëfimit të tij, fillimisht iu tha se mund të bëhej fjalë për një ngatërrim identiteti, por më pas iu shpjegua se sinjalizimi në sistem mund të kishte lidhje me pjesëmarrjen në protesta.
Hasimja deklaroi se nuk kishte pasur probleme me policinë dhe asnjë masë detyrimi paraqitjeje. Ai nuk u pengua të udhëtonte, por e konsideroi shqetësues faktin që pjesëmarrja në një protestë mund të shfaqej si sinjalizim në sistemet policore.
Dyshimi i tij ishte se kjo praktikë mund të shërbente si presion ndaj qytetarëve që kundërshtojnë qeverinë. Rasti merr një dimension tjetër pas publikimit të një dokumenti nga aktivistja Eda Grimci, ku një 21-vjeçari i ishte refuzuar dalja nga Shqipëria në portin e Sarandës më 23 nëntor.
Në formularin zyrtar, arsyeja lidhej me ekzistencën e një njoftimi në sistemin e të dhënave të policisë. Kjo ngre pikëpyetje mbi kriteret dhe garancitë ligjore që shoqërojnë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.
Krahas kësaj, po dje kryeministri Edi Rama prezantoi Sistemin Unik të Gjobave, që do të përfshijë 54 institucione dhe do të mundësojë regjistrimin, gjurmimin, pagesën dhe ankimimin elektronik të penaliteteve.
Qeveria e paraqet si modernizim administrativ, por përqendrimi i të dhënave dhe fuqia ndëshkuese e institucioneve kërkojnë garanci të forta për të shmangur abuzimet.
Në të njëjtën kohë, projekti Smart City parashikon rreth 5.000 kamera inteligjente në 20 qytete dhe 3.000 kamera trupi për punonjësit e policisë. Sistemi do të përdorë inteligjencën artificiale për analizimin e situatave në kohë reale dhe identifikimin e automjeteve e personave.
Asnjë prej këtyre mjeteve nuk është problematik në vetvete. Kamerat mund të ndihmojnë në parandalimin e krimit, regjistrat mund të përmirësojnë administratën dhe gjobat elektronike mund të rrisin transparencën.
Por çështja thelbësore është se kush i administron të dhënat, kush kontrollon përdorimin e tyre dhe çfarë mbrojtjeje ka qytetari nga vendimet arbitrare. Këtu hyn edhe problemi i përqendrimit të pushtetit.
Kur institucionet e kontrollit, policia dhe administrata veprojnë pa mbikëqyrje të mjaftueshme dhe llogaridhënie efektive, teknologjia mund të shndërrohet nga instrument shërbimi në instrument presioni.
Nuk bëhet fjalë për të mbrojtur dhunën në protesta apo për t’i dhënë kujtdo imunitet nga ligji por për një parim themelor demokratik. Qytetari nuk mund të trajtohet si fajtor përpara se përgjegjësia e tij të provohet sipas ligjit. As pjesëmarrja në një protestë nuk mund të kthehet në arsye për ta vendosur nën vëzhgim të posaçëm.
Në fund, pyetja nuk është nëse Shqipëria është bërë si Kina por nëse po normalizohet ideja se shteti mund të regjistrojë, monitorojë dhe kufizojë qytetarin edhe përpara se të provohet ndonjë shkelje.
Një shoqëri nuk e humbet lirinë brenda natës. Ajo e humbet gradualisht, sa herë që një mekanizëm i ri kontrolli justifikohet me sigurinë, ndërsa garancitë demokratike mbeten pas.
Dhe kur një pedagog si Ermal Hasimja duhet të japë shpjegime në aeroport për një sinjalizim që, sipas policisë, lidhet me pjesëmarrjen e tij në protesta, shqetësimi nuk kufizohet më te një individ.
Ai prek të drejtën e çdo qytetari për të kundërshtuar pushtetin, pa pasur frikë se kundërshtimi do të regjistrohet diku si një shenjë dyshimi dhe mund të diktojë ndjeshëm jetën e tij në vazhdim.
Marrë nga Tesheshi.com