Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se është “e rrezikshme që Britania e Madhe të zhvillojë marrëdhënie biznesi me Kinën”.
Trumpi ka reaguar ndaj marrëveshjeve të arritura mes Britanisë së Madhe dhe Kinës, të cilat synojnë forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e investimeve.
Duke folur gjatë premierës së një dokumentari kushtuar bashkëshortes së tij, Melania, Trumpi iu referua Xi Jinpingut si “mik” dhe tha se e njeh presidentin kinez “shumë mirë”.
Në reagim ndaj këtyre deklaratave, qeveria britanike ka bërë të ditur se autoritetet amerikane kishin qenë të informuara paraprakisht për vizitën e Starmerit në Kinë dhe për objektivat e saj.
Zyra e Kryeministrit britanik, gjithashtu theksoi se Trumpi pritet të vizitojë vetë Kinën në muajin prill.
Trumpi i bëri komentet pasi Starmer pas takimit me Xi Jinpingun të enjten ka deklaruar se marrëdhëniet e shtetit të tij me Kinën ndodhen në një fazë “të mirë dhe të fortë”.
“Kjo është edhe më e rrezikshme, sipas mendimit tim, për Kanadanë”, tha Trumpi. “Kanadaja nuk po ecën mirë. Gjendja e saj është shumë e dobët dhe nuk mund ta shihni Kinën si zgjidhje,” ka shtuar ai.
Më herët këtë javë, Trumpi ka kërcënuar se do të vendoste tarifa ndaj Kanadasë, nëse ajo do të vazhdonte me marrëveshjet ekonomike të arritura me Kinën gjatë një vizite të fundit në Pekin nga kryeministri kanadez, Mark Carney.
Marrë nga BBC