Nga Peter D’Abrosca
Departamenti i Shtetit i administratës së Presidentit Donald Trump po heq udhëzimet e periudhës së Bidenit, të cilat u kërkonin punonjësve të promovonin një axhendë të Diversitetit, Barazisë, Përfshirjes dhe Aksesueshmërisë (DEIA) përpara zyrtarëve dhe qeverive të huaja.
“Nën administratën Trump, diplomatëve amerikanë u kërkohet të mbrojnë interesat tona kombëtare në skenën botërore – jo të tregojnë bindje ndaj doktrinave politike ‘woke’”, i tha Fox News Digital zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.
Dokumentet zyrtare të periudhës së Bidenit, të siguruara nga Fox News Digital, tregojnë se administrata e mëparshme u kërkonte punonjësve të trajtonin çështje të DEIA-s në diskutime të nivelit të lartë dhe në dialogun dypalësh me homologët e huaj.
Në dokument thuhej: “A i ngrenë rregullisht zyrat drejtuese çështjet e përfshirjes sociale, barazisë racore/gjinore, aftësisë së kufizuar dhe çështjeve LGBTQI+ me bashkëbiseduesit e nivelit të lartë të vendit pritës, veçanërisht në vendet ku këto çështje janë problematike, dhe a përfshihen këto çështje në dialogët dypalësh, kur është e përshtatshme?”
“Front Office” nënkupton ekipin e drejtpërdrejtë drejtues dhe ekzekutiv të një zyre, drejtorie ose strukture të caktuar të Departamentit të Shtetit, të cilat funksionojnë në vende të ndryshme të botës.
Udhëzimet e administratës Biden nuk ishin thjesht rekomandime.
Gjatë administratës së mëparshme, Departamenti i Shtetit vlerësonte se sa mirë punonjësit kishin përvetësuar politikat e diversitetit dhe përfshirjes, dhe kjo merrej parasysh edhe gjatë vlerësimeve zyrtare dhe proceseve të promovimit.
Fox News Digital konfirmoi se këto kritere nuk ekzistojnë më gjatë vlerësimit të performancës së punonjësve në Departamentin e Shtetit nën Trump.
Një pjesë tjetër e dokumentit trajtonte konceptin e “allyship”, pra mbështetjen aktive të kolegëve nga persona që konsiderohen aleatë.
Dokumenti pyeste: “A flisni në momentin e duhur për të mbështetur kolegët dhe për t’i ndihmuar të gjithë të kuptojnë kur mund të ketë paragjykime që dëmtojnë përfshirjen?”
Më tej thuhej se kjo përfshinte përpjekje aktive për të eliminuar jo vetëm paragjykimet mbi racën, etninë, gjininë, LGBTQI+ dhe aftësinë e kufizuar, por edhe paragjykimet mes punonjësve të shërbimit civil dhe diplomatik, punonjësve amerikanë të rekrutuar drejtpërdrejt dhe atyre me kontratë, si dhe brenda strukturave të shërbimit diplomatik.
Dokumenti u kërkonte gjithashtu punonjësve që të merrnin iniciativën për të mësuar vetë mbi DEI-n, në vend që të “mbështeteshin te të tjerët – veçanërisht te personat që i përkasin grupeve historikisht të margjinalizuara” – për t’i ndihmuar.
Në mënyrë të ngjashme, dokumenti kërkonte që zyrat drejtuese të siguronin që çdo punonjës të mbështeste një “Këshill DEIA”, ose, nëse një zyrë nuk kishte një të tillë, të mbështeste krijimin e tij.
Dokumenti pyeste gjithashtu: “Si diskutohet dhe zbutet paragjykimi, si brenda misionit diplomatik, ashtu edhe në marrëdhëniet me vendin pritës?”
Dhe: “Çfarë lloj trajnimesh të lokalizuara DEIA po zhvillohen për të përfshirë të gjitha kategoritë e punonjësve – si stafin amerikan, ashtu edhe atë lokal? A ekziston një kanal për punonjësit lokalë, oficerët në nivelet fillestare dhe grupet e tjera që ndonjëherë përjashtohen nga ndërveprimi me drejtuesit e lartë, për të dhënë ide ose komente mbi mënyrën se si DEIA mund të përparojë në mënyrë më efektive?”
Pigott tha se nën drejtimin e Presidentit Trump, Departamenti i Shtetit është i përqendruar vetëm te kërkesat e diplomacisë amerikane, dhe jo te lojërat politike.
“Departamenti i Shtetit po zbaton reforma gjithëpërfshirëse në Shërbimin Diplomatik për t’i dhënë përparësi meritës, për ta përqendruar trajnimin te aftësitë konkrete diplomatike dhe për t’i përgatitur diplomatët e vendit tonë që të japin përgjigjen amerikane ndaj sfidave tona më urgjente”, tha ai.
Marrë nga FOX News