Të ardhurat shtesë që do të vijnë nga ndryshmi i legjislacionit tatimor në vitin 2025 do të jenë rreth 9,1 miliardë lekë, ose rreth 90 milionë euro, sipas të dhënave nga projektbuxheti 2025.
Së pari në zbatim të ligjit për akcizat, lidhur me cigaret dhe duhanet, ka një kalendar 2022-2026 lidhur me rritjen e nivelit të akcizës çdo vit. Për vitin 2025 janë parashikuar të ardhura shtesë nga zbatimi i kalendarit të rritjes së akcizës në shumën prej 852 milionë lekësh si dhe 20% TVSH mbi këtë shumë të rritur akcize.
Së dyti, në buxhetin e të ardhurave të vitit 2025, janë parashikuar të gjenerohen 2 miliardë lekë shtesë nga zbatimi i ndryshimeve në ligjin “Për lojërat e fatit dhe kazinotë”.
Të ardhurat shtesë të parashikuara, përfshijnë si taksat nacionale të programuara të regjistrimit të operatorëve që do operojnë në fushën e basteve sportive, edhe të ardhurat nga tatimi mbi lojërat e fatit-baste sportive online që do paguajnë subjektet që do licencohen.
Për vitin 2025, janë parashikuar që 7 muajt e parë, efekti në të ardhura do të jetë 6.3 miliardë lekë, nga të cilat 2 miliardë lekë janë të ardhura nga tatimi mbi pagën dhe 4.3 miliardë lekë janë të ardhurat nga kontributet.
Në kuadrin makroekonomik për vitin 2025 është parashikuar rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.9%, dhe indeksi i çmimeve 3%.
Këta tregues janë analizuar të kenë efekte në mënyrë të integruar me faktorë të tjerë për çdo taksë në veçanti, të ndërlidhur me të dhënat historike dhe projeksionet e çmimeve në tregjeve ndërkombëtare tek taksat ad-valorem si tatimi mbi vlerën e shtuar, renta minerare dhe taksa doganore me rreth 21 miliardë lekë të ardhura shtesë.
Marrë nga Monitor