Mbërritja e një avioni të tipit Antonov An-124 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, më 6 maj, nxiti kureshtjen e shumëkujt në Kosovë.
Por, arsyeja e fluturimit drejt Kosovës të njërit prej aeroplanëve më të mëdhenj në botë për transportin e mallrave, përfshirë ato ushtarake, mbetet ende e panjohur.
Fluturimi i aeroplanit me regjistrimin UR-82008 nuk ka figuruar as në regjistrat e fluturimeve komerciale online.
Ministria e Mbrojtjes në Kosovë ka thënë se nuk ka informacione zyrtare lidhur me këtë fluturim.
Fotografi i njohur kosovar, Arian Mavriqi, e ka fotografuar dhe e ka xhiruar uljen e djeshme të aeroplanit gjigant, i cili në Kosovë është parë edhe në të kaluarën.
Video e marrë nga faqja e fotografit të njohur kosovar, Arian Mavriqi:
Sipas tyre, ai mund të ketë sjellë pajisje ushtarake për misionin paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR.
Por, nga ky mision i NATO-s nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it në lidhje me këtë çështje.
Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë i tha REL-it se, “si çështje parimore dhe pavarësisht nga pyetja specifike, nuk komenton transportet ushtarake”, si dhe që përgjigja e saj nuk përbën as konfirmim e as mohim në lidhje me këtë fluturim.
Ajo, megjithatë, tha se forcat e armatosura gjermane përdorin shërbimin e transportit të kompanisë Antonov.
“…Kapacitetet e Antonov Logistics SALIS GmbH [përdoren] për dërgimin dhe furnizimin e forcave gjermane në kontekstin e mbrojtjes kombëtare dhe mbrojtjes së aleancës, menaxhimit të krizave ndërkombëtare dhe menaxhimit të rreziqeve dhe krizave kombëtare”, i tha REL-it një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes.
Për çfarë përdoren aeroplanët Antonov?
Sipas të dhënave zyrtare, të publikuara nga vetë kompania ajrore, Antonov Airlines është një degë e Antonov Company, me seli në Kiev, Ukrainë.
Ndërmarrja shtetërore ukrainase operon një flotë të gjerë avionësh që transportojnë mallra, duke përfshirë pesë avionë të tipit An-124 Ruslan, që mund të bartin ngarkesa deri në 150 tonë.
Dy prej këtyre aeroplanëve përdoren zyrtarisht përmes kompanisë Antonov Logistic SALIS GmbH, për të ofruar shërbime transportuese për NATO-n dhe vendet e Bashkimit Evropian për dërgimin e “mallrave emergjente në situata të krizës”.
Sipas informacioneve në ueb-sajtin e kompanisë, shërbimet përgjegjëse për planifikimin e transportit dhe mirëmbajtjes së avionëve janë zhvendosur përkohësisht në Lajpcig të Gjermanisë, për shkak të luftës në Ukrainë.
Fluturimet e mëparshme në Kosovë
Aeroplani i kompanisë Antonov nuk erdhi për herë të parë në Kosovë të mërkurën.
Vetë Aeroporti i Prishtinës kishte publikuar fotografi të këtij aeroplani, kur ai kishte mbërritur në Kosovë më 2016.
Ndërkaq, grupi BBKRspotters, i cili publikon pamje të fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës, kishte publikuar një video të uljes së këtij aeroplani në “Adem Jashari” në janarin e vitit 2024.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informacione nga vetë kompania e fluturimeve Antonov për fluturimin e djeshëm, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.
Marrë nga Radio Evropa e Lirë