Feta Mataj lihet në qeli deri në fund të hetimeve, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Postës Durrës
Feta Mataj, i cili kohë më parë u emërua në detyrën e zv.drejtorit të ndërmarrjes komunale të pastrim-gjelbërimit në Bashkinë Durrës, është arrestuar nga krimi ekonomik, pak ditë më parë.
Avokati i Matajt pretendon se klienti i tij është arrestuar për të mbuluar vjedhjen e 2.5 miliardë lekëve nga drejtoresha e financave të Postës.
“Në këtë rast kërkohet të fshihet e vërteta. Ne jemi në konflikt të hapur me Prokurorinë e Durrësit pasi ka tre muaj që nuk ka siguruar asnjë provë. Gjykata vendosi për vazhdimin e mbajtjes së masës së “Arrestit në burg”, siç ishte objekti. Kjo Gjykatë e ka marrë vendimin para 3 ditësh. Sot në seancë gjyqësore bëhet verifikimi i kushteve të arrestit në lidhje me përshtatshmërinë e masës së caktuar nga Gjykata dhe provat e reja të dala. Ne sot paraqitëm prova reale”, tha avokati i Matajt.
Elisabeta Mataj u përfshi në çështjen e skandalit financiar në filialin e Postës së Durrësit, ku dyshohet për përvetësimin e 69 milionë lekëve të rinj, fonde të destinuara për pagesat e pensioneve dhe ndihmave sociale. Për këtë dosje, Elisabeta Mataj ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Marrë nga Top Channel