Elbasani ka arritur një fitore të madhe 3-1 ndaj Vllaznia në “Elbasan Arena”, duke marrë kreun e renditjes me dy pikë më shumë se shkodranët.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe vendasit kaluan në avantazh në minutën e 22-të. Një aksion i ndërtuar nga e majta solli harkimin e Lajthisë, Diallo devijoi topin dhe Tsague, i vetëm në zonë, dërgoi sferën në rrjetë për 1-0.
Elbasani vazhdoi dominimin dhe në minutën e 39-të dyfishoi shifrat. Lila bëri një aksion të bukur individual nga krahu i djathtë dhe harkoi në qendër, ku Lajthia goditi saktë me kokë për 2-0. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e verdhebluve, edhe pse Vllaznia pati disa tentativa me Muratajn dhe Balajn.
Në pjesën e dytë, shkodranët reaguan dhe në minutën e 73-të ngushtuan diferencën. Pas një aksioni të ndërtuar mirë, Kallaku asistoi për Qato, i cili me një goditje të fortë mposhti portierin Totoshi për 2-1.
Megjithatë, entuziazmi i miqve zgjati pak, pasi vetëm tri minuta më vonë, në të 76-tën, Lajthia mori topin para zonës, dribloi disa kundërshtarë dhe realizoi një gol të bukur për 3-1, duke vulosur fatin e sfidës.
Vllaznia pati edhe raste të tjera, përfshirë një goditje në traversë nga Murataj, por nuk arriti të rikthehej në lojë. Në fund, Elbasani festoi një sukses të madh që e ngjit në vendin e parë, ndërsa Vllaznia zbret në vendin e dytë në një garë gjithnjë e më të fortë për titullin.
Marrë nga Syri TV