Një kompani e lidhur në mënyrë indirekte me grupin e dyshuar kriminal “Troplini” ka marrë pak ditë më parë viston e Këshillit Teknik në Ministrisë e Turizmit dhe Kulturës për ndërtimin e një l kulle 12-katëshe në Radhimë, ndërkohë që më herët aplikimi është shqyrtuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), një strukturë nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.
Në 29 korrik 2026, Këshilli Teknik, në varësinë e ministrit Blendi Gonxhja dhe nën drejtimin e Endri Haxhiut, ka miratuar “Raportin e miratimit arkeologjik në kuadër të projektit ‘Strukturë polifuksionale me dy korpuse me funksion banim, hotel dhe shërbime me 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11 dhe 14 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokë’ me vendndodhje në Radhimë, Bashkia Vlorë, me zhvillues subjekti “2B&U Company” sh.p.k.”.
Në 17 dhjetor të vitit 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit, nën drejtimin e Ramës, ka shqyrtuar aplikimin e kompanisë “2B&U Company” për këtë leje ndërtimi. Aplikmi nuk rezulton që të jetë refuzuar, ndërkohë që “Boldnews.al” nuk arriti të gjente dokumentin e zbardhur në faqen zyrtare të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT).
Kompania investitore rezulton të jetë themeluar nga sipërmarrësi Vexhi Danaj, një shoqëri e të cilit është vendosur nën sekuestro nga Gjykata e Posaçme, në kuadër të hetimeve të Prokurorisë Speciale për grupin e dyshuar kriminal të narko-trafikut, të drejtuar nga Elvis Doçi (Visi i Pojës).
Hetimet për grupin “Troplini”
Në 21 maj 2025, Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi se ishin nxjerrë rreth 50 urdhër-arreste për një grup të dyshuar kriminal, si të përfshirë në trafikun e kokainës nga Shqipëria në drejtim të Europës. Një pjesë e urdhër-arresteve ishin miratuar nga Gjykata e Barit, në Itali. Operacioni u emërtua “Ura”.
Prokurorët thanë në një konferencë mediatike se “hetimet kanë dokumentuar 30 episode të trafikut të drogës në Itali dhe 10 raste të tjera në Shqipëri dhe në vende të tjera të Evropës”.
Po ashtu, grupi hetimor tha se “janë dokumentuar edhe 30 transaksione të dërgimit të parave nga Italia drejt Shqipërisë me vlerë rreth 5 milionë euro. Pasuritë dhe vlerat cash të sekuestruara u tha se kapin vlerën e rreth 7 milionë eurove”.
Drejtues i grupit kriminal u konsiderua Elvis Doçi (Visi i Pojës), i njohur gjithashtu edhe si nipi i sipërmarrësit nga Durrësi, Xhevdet Troplini. Ky i fundit, megjithëse i ka dhënë emrin “grupit Troplini”, nuk rezultonte i përfshirë në hetimet e përbashkëta italo-shqiptare.
Në kuadër të veprimeve proceduriale, Prokuroria e Posaçme identifikoi disa pasuri të anëtarëve të grupit të dyshuar kriminal. Mes tyre, SPAK-u deklaroi se kishte vendosur nën sekuestro pasuri të regjistruara në emrin e Nexhmedin Danaj, nga Vlora.
Në listën e pasurive të sekuestruara ishte edhe një kompani e përfshirë në aktivitete mediatike, “Vlora Cable”.
Shoqëria, e regjistruar në vitin 2012, rezultonte në emër të vëllezërve Nexhmedin e Vexhi Danaj, si edhe të një personi të tretë, N.G.
Në 23 maj 2025, vetëm dy ditë pas konferencës për media të organizuar nga Prokuroria e Posaçme me homologët e tyre nga Bari, dhe në një kohë kur nuk ishte zbatuar ende vendimi i gjykatës për sekuestron e pasurive, Nexhmedin Danaj kalon të gjithë aksionet e tij në kompaninë “Vlora Cable” tek vëllai i tij, Vexhi Danaj.
Megjithatë, kjo lëvizje “in extremis” nuk e shpëtoi kompaninë mediatike nga sekuestrimi, i cili u ekzekutua në 27 maj të vitit të kaluar.
Vexhi Danaj nuk rezulton i përfshirë drejtpërdrejtë në hetimet për “Grupin Troplini”. Ai figuron aksioner edhe në disa kompani të tjera, të cilat nuk janë vendosur nën sekuestro.
Një prej këtyre kompanive që kanë qenë në pronësi të Vexhi Danaj ishte edhe “2B&U Company” sh.p.k”. Kjo shoqëri është themeluar në vitin 2017, me objekt veprimtarinë në fushën e ndërtimit.
Megjithëse një entitet më vete, shoqëria “2B&U Company” sh.p.k” ka një lidhje të fortë integrale me kompaninë e vendosur nën sekuestro, “Vlora Cable”. Dhe kjo, jo vetëm për faktin se Vexhi Danaj është aksioner tek të dyja.
Në dokumentat e dorëzuar nga “2B&U Company” sh.p.k në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se ajo ka të njëjtën adresë fizike dhe elektronike me “Vlora Cable”. Të dyja janë me seli në “lagjja 28 Nëntori, Sheshi Artur Rustemi, Pallati Nr.1174, Kati i parë” dhe me e-mail: “vloracable@gmail.com”
Dukshëm, megjithëse subjekte të ndryshme, dy kompanitë kanë vepruar si një enitet i vetëm, megjithëse me një diferencë në letra-Nexhmendin Danaj nuk rezultonte pjesë e “2B&U Company” sh.p.k”.
Kjo kompani, në mesin e dhjetorit 2024, aplikon pranë Këshillit Kombëtar të Territorit për leje ndërtimi për kullën 12-katëshe. Ishte koha kur Nexhmendin Danaj ende nuk ishte shfaqur zyrtarisht si pjesë e “Grupit të Pojës”.
Koha eci dhe Nexhmendini u përfshi në mesin e vitit 2025 si anëtar i grupit të dyshuar kriminal, ndërkohë që apkikimi i kompanisë “2B&U Company” sh.p.k” për leje ndërtimi po kalonte në zyrat burokratike.
Në Prill 2026, pronari i saj, Vexhi Danaj, vendosi t’i dhurojë të gjithë aksionet e kompanisë tek fëmijët e tij: Ultiger, Brisilda dhe Brikena Danaj.
Kjo treshe është tashmë pronare e “2B&U Company” sh.p.k”, kompani e cila ka marrë viston në fund të këtij korriku nga Këshilli Teknik i ministrit Blendi Gonxhja për kullën 12 katëshe në bregdetin e mrekullueshëm të Radhimës, në Vlorë.
Marrë nga Boldnews.al