Krimet që lidhen me rendin dhe sigurinë publike përbëjnë pjesën më të madhe të çështjeve penale në Shqipëri për vitin 2025, duke zënë 32.81% të totalit. Me fjalë të thjeshta, gati një në tri procedime që ndjek prokuroria lidhet me këtë kategori. Pas tyre vijnë vjedhjet e pasurisë me 20.95%, ndërsa një peshë gjithnjë e më të madhe po marrin edhe konfliktet për tokën, që përbëjnë 7.81% të rasteve.
Të dhënat nga raporti i Prokurorisë së Përgjithshme tregojnë se në vitin 2025 ka një rritje të dukshme të disa veprave penale që prekin drejtpërdrejt qytetarët dhe bizneset. Rastet për rendin publik janë rritur në 8,874 nga 7,825 një vit më parë, ndërsa çështjet që lidhen me regjimin juridik të tokës janë rritur ndjeshëm në 2,113 nga 1,397, një rritje prej 51%. Edhe mashtrimet dhe falsifikimi i dokumenteve kanë shënuar rritje, duke arritur respektivisht në 745 dhe 759 raste.
Nga ana tjetër, vjedhjet kanë pësuar një rënie të lehtë, duke zbritur në 5,667 raste nga 5,779, ndërsa shkatërrimi i pronës ka rënë në 930 raste nga 1,056. Megjithatë, këto mbeten ndër veprat më të përhapura dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve.
Sa u përket krimeve ndaj individit, raporti tregon se veprat kundër fëmijëve, martesës dhe familjes përbëjnë 6.62% të totalit. Krimet kundër shëndetit me dashje zënë 3.40%, ndërsa krimet seksuale 0.65% dhe ato kundër lirisë së personit 0.48%. Po ashtu, 1.33% e rasteve lidhen me veprat që rrezikojnë jetën dhe shëndetin, si ndërprerja e shtatzënisë ose mosdhënia e ndihmës.
Në fushën ekonomike, mashtrimet përbëjnë 2.75% të totalit, falsifikimi i dokumenteve 2.81%, ndërsa veprat që lidhen me taksat dhe tatimet 0.94% dhe ato në fushën e doganave 1.26%. Po kështu me interes është edhe pesha e veprave penale kundër veprimtarisë shtetërore, që arrijnë në 2.30% kur kryhen nga shtetasit dhe 2.11% kur kryhen nga punonjësit publikë.
Marrë nga Ekofin.al