Protesta e djeshme qytetare shënoi një rekord pjesëmarrjeje që nga nisja e saj. Mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku bulevardi u mbush me pankarta, flamuj dhe thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të mazhorancës kanë vijuar të minimizojnë protestën, duke e lidhur atë me dezinformimin, interesa politike apo ndikime të jashtme. Në deklaratat e fundit, Rama ka ironizuar protestuesit dhe ka sulmuar figura publike që kanë shprehur mbështetje për revoltën qytetare. Ajo që nisi në Zvërnec si një kundërshtim ndaj një projekti të caktuar, tashmë po merr përmasa më të gjera, duke u shndërruar në një shprehje të pakënaqësisë ndaj të gjithë klasës politike.
Këtë e dëshmojnë edhe mesazhet që dominuan tubimin para Kryeministrisë. “Rama në burg, Berisha në burg”, “Poshtë kasta politike” dhe “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët” ishin ndër thirrjet më të dëgjuara gjatë protestës, duke reflektuar zhgënjimin e një pjese të qytetarëve jo vetëm ndaj qeverisë aktuale, por ndaj gjithë sistemit politik.
Marrë nga Balkanweb.com