Mbi 70.2 milionë lekë gjoba të vendosura për shkelje mjedisore nuk rezultojnë të arkëtuara nga agjencitë e mjedisit, ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar njëkohësisht 10.49 milionë lekë gjoba të shfuqizuara në mënyrë të pajustifikuar.
Diferenca prej 70.207 milionë lekësh, ose rreth 62.6% e vlerës së gjobave, ka mbetur e paarkëtuar. Pra, nga çdo 100 lekë gjoba të vendosura rezultojnë të mbledhura vetëm rreth 37 lekë.
Fieri ka peshën më të madhe në vlerën e masave të vendosura. ARM Fier raporton 120 gjoba me vlerë 59.05 milionë lekë, nga të cilat janë arkëtuar 22.748 milionë lekë.
Në Berat janë vendosur 60 masa me vlerë 25.86 milionë lekë, me arkëtime prej 11.27 milionë lekësh, ndërsa Tirana raporton 55 masa me vlerë 27.22 milionë lekë, nga të cilat janë arkëtuar vetëm 7.905 milionë lekë. Në Tiranë, niveli i arkëtimit del vetëm rreth 29%.
Kjo do të thotë se problemi nuk lidhet vetëm me nivelin e ulët të arkëtimit, por edhe me pamundësinë për të përcaktuar me saktësi në nivel kombëtar se sa gjoba janë në fuqi, sa janë paguar, sa janë ankimuar dhe sa vazhdojnë të jenë detyrim.
KLSH: 10.49 milionë lekë gjoba u shfuqizuan pa justifikim
Nga raporti rezulton se janë shfuqizuar në mënyrë të pajustifikuar gjoba në vlerën 10.49 milionë lekë. Më konkretisht, ka pasur raste ku Komisioni i Shqyrtimit të Ankimimeve ka hequr masat e vendosura nga inspektorët pa analizuar në themel provat dhe shkeljet e konstatuara në terren.
Ndërsa, nga të dhënat e Sektorit të Apelimeve tregojnë se gjatë viteve 2023-2025 janë shqyrtuar 106 ankime. Në 66 raste masa është lënë në fuqi, ndërsa në 36 raste është shfuqizuar, pra në rreth një të tretën e të gjitha ankimeve të shqyrtuara.
Mw konkretisht, në katër procedura që lidhen me subjektet si “T. M. Al”, “A.” sh.a. në dy raste dhe “M. K”, Komisioni shfuqizoi gjoba me vlera përkatësisht 400 mijë, 1 milion, 300 mijë dhe 500 mijë lekë, ose 2.2 milionë lekë gjithsej. Arsyeja e përdorur lidhej me parregullsi procedurale dhe me faktin se inspektimet nuk ishin kryer nëpërmjet sistemit “e-inspektimi”.
Por KLSH vlerëson se ky argumentim nuk mbështetej në prova dhe argumente të mjaftueshme ligjore. Auditimi i qëndron përfundimit se Komisioni nuk kishte analizuar në thelb shkeljet e konstatuara dhe as provat e administruara gjatë inspektimeve, përfshirë në disa raste edhe rezultatet e analizave të mostrave të marra në terren.
Gjoba 5 milionë lekë u hoq pas shkarkimeve me hidrokarbure drejt Gjanicës
Rasti me vlerën më të lartë të evidentuar individualisht nga KLSH është një gjobë prej 5 milionë lekësh ndaj një subjekti me aktivitet në shfrytëzimin e naftës. Gjatë inspektimit në zonën e lumit Gjanica, në vendin e quajtur “Ofiçina e Vjetër Visokë”, inspektorët kishin konstatuar shkarkim të lëndëve hidrokarbure së bashku me ujë teknologjik të gjeneruar nga procesi i dekantimit. Shkarkimi ishte dokumentuar me foto dhe video përgjatë përroit që përfundonte në lumin Gjanica.
Megjithatë, Komisioni i Shqyrtimit të Ankimimeve e shfuqizoi gjobën prej 5 milionë lekësh. KLSH vlerëson se vendimi u mbështet kryesisht në pretendime procedurale, pa u analizuar në themel shkelja dhe provat e administruara. KLSH gjithashtu thotë se subjekti e kishte ushtruar brenda afatit të drejtën e ankimit ndaj vendimit përfundimtar dhe për këtë arsye e drejta e tij procedurale nuk ishte cenuar.
Në përfundim të raportit, KLSH rekomandon krijimin e një databaze të unifikuar për masat administrative, rakordimin periodik të të dhënave ndërmjet nivelit qendror dhe rajonal dhe ndjekjen sistematike të gjobave për arkëtim. Për rastet e shfuqizimit, kërkohet që vendimet të merren vetëm pas vlerësimit të plotë të provave dhe të shkeljeve të konstatuara në terren.
Marrë nga Ekofin.al