Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim ish-kryetaren e komanduar të bashkisë së Tropojës, Zyra Islamaj dhe ndërtuesin Rrok Gega, të cilët akuzohen për korrupsion. SPAK e akuzon Islamaj për korrupsion pasi, duke shpërdoruar detyrën vendosi të ushtrojë pozitën e saj dhe të ndërtojë një urë personale për motrën.
Konkretisht në njoftimin zyrtar, thuhet se Islamaj, në ushtrimin e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Tropojë, është përpjekur përmes një tenderi të hapur, të favorizojë ndërtimin e një ure në dobi të familjarëve të saj. Për këtë dosje, SPAK ka marrë të pandehur dhe biznesmenin Rrok Gega, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
NJOFTIMI:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 29.09.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale me nr. 15/2026, në ngarkim të të pandehurve: Rrok Gega, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe Zyra Islamaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal”.
2. Në seancën e datës 25.11.2025 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, bazuar në nenet 112, 332/dh, pika 1, gërma “a”, 332/ë, 332/gj, pika 1 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 149, datë 25.11.2025, vendosi:
I. Pranimin e kërkesës së palës kërkuese, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr.15, viti 2025 në ngarkim të të pandehurve:
1. Rrok Gega, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, parashikuar nga neni 244, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
2. Zyra Islamaj, akuzuar për kryerjen e veprës penrrok ale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, parashikuar nga neni 259, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
II. Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me tjetër trup gjykues.
III. Fashikulli i gjykimit do të përmbajë të gjitha aktet e hetimit paraprak, të përfshira në 1 volum hetimor (përveç deklarimeve të shtetasve të pyetur me cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes).
IV. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.
Rasti u denoncua nga Agim Demiraj, i cili më herët kishte shërbyer në detyrën e Teknikut të Mirëmbajtjes së Rrugëve në Bashkinë Tropojë. Ky i fundit ishte larguar nga puna, pasi nuk kishte pranuar që të bashkëpunonte me Islamajn, për ndërtimin e urës familjare që do ti shërbente familjes së motrës. Madje për ndërtimin e urës, do të kujdesej kunati i saj, burri i motrës. Gjithçka u dokumentua dhe nga një telefefonatë, mes Demirajt dhe ndërtuesit Rrok Gega, i cili kishte fituar dhe tenderin nga Bashkia Tropojë për ndërtimin e urave. Gega pranon në telefonatë që ura do të ishte dhuratë për motrën e kryetares dhe nuk ishte fare në procedurat e tenderit.
Marrë nga Zëri.al