Një trafikant shqiptar është arrestuar në Spanjë disa ditë më parë. Mediat spanjolle theksojnë se Guarda Civile spanjolle arrestoi më 8 maj një trafikant droge shqiptar, i kërkuar nga autoritetet franceze dhe spanjolle për vepra të ndryshme penale.
29-vjeçari, ishte i armatosur me një pistoletë gjysmë-automatike Makarov, të mbushur dhe gati për të qëlluar, kur agjentët e forcave të sigurisë e lokalizuan dhe neutralizuan në mes të Passeig de Gràcia në Barcelonë. Gjatë kontrollit iu gjetën dokumente të falsifikuara me të cilat paraqitej si shtetas grek, si dhe 1.470 euro cash.
Agjentët e Seksionit të Policisë Gjyqësore të zonës së Katalonjës po e ndiqnin individin kur u krye arrestimi. Ndaj tij kishte në fuqi një Urdhër Evropian Arresti dhe Dorëzimi (OEDE), të lëshuar nga Franca për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale; përveç kësaj, ndaj tij ekzistonte edhe një urdhër arresti nga një gjykatë në Barcelonë për vjedhje ose grabitje automjeti.
Policët e ndoqën në mënyrë diskrete derisa konsideruan se ishin krijuar kushtet optimale për arrestimin, që ai të mos arratisej dhe që ndërhyrja të kryhej duke garantuar sigurinë e këmbësorëve. Si ndjekja e të dyshuarit, ashtu edhe arrestimi i tij, u zhvilluan në mes të Passeig de Gràcia në kryeqytetin katalanas. Në momentin e duhur, agjentët e neutralizuan duke ia pamundësuar arratisjen dhe çdo përpjekje për t’i rezistuar prangave.
Po të mos ishte koordinimi dhe efektiviteti i agjentëve, situata mund të kishte përfunduar shumë ndryshe: trafikanti i dyshuar mbante me vete një pistoletë gjysmë-automatike të mbushur me shtatë fishekë, gati për të qëlluar dhe, në rastin më të keq, për të vrarë. Megjithatë, efektivët e Gardës Civile ia morën armën menjëherë dhe u siguruan për të shmangur përdorimin e saj.
Arma në fjalë ishte një pistoletë Makarov, armë me origjinë sovjetike, e përdorur për dekada në vendet e bllokut të Evropës Lindore. I arrestuari u dërgua në komisariat dhe iu paraqit Audiencës Kombëtare përmes lidhjes telematike nga Gjykata e Barcelonës.
Marrë nga Elnacional.cat