Një vatër e fuqishme zjarri ka shpërthyer në territorin e Bashkisë Himarë, konkretisht në lagjen nr. 1, pranë zonës së bypass-it, mbrëmjen e së premtes.
Sipas informacionit të bërë me dije nga Prefektura dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, deri më tani raportohet se gjashtë banesa janë djegur totalisht, prej të cilave tre kanë qenë të banuara dhe tre të pabanuara.
Operatorët turistikë dhe pronarët e bizneseve në zonë shprehen se zjarri i ka gjetur të papërgatitur, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë.
Situata ka vijuar të mbetet problematike deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Rreth orës 02:00, një tjetër banesë është përfshirë nga flakët, duke shtuar panikun mes familjeve që banonin në zonë.
Zjarri i madh ka shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe një situatë të vështirë për banorët e Himarës, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave kanë vijuar punën për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri, me helikopterë që po hedhin ujë mbi vatrat e zjarrit.
Në terren vijojnë të jenë të angazhuara Forcat e Armatosura, së bashku me forca të shumta zjarrfikëse të mbërritura nga qytete të ndryshme të vendit, në përpjekje për të izoluar dhe shuar vatrat që vijojnë të jenë aktive në territorin e Bashkisë Himarë.
Situata mbetet e vështirë, ndërsa forcat në terren po punojnë për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur banesat dhe zonat e banuara.
Marrë nga Top Channel