Një situatë në prag katastrofe raportohet në Liqenin Artificial të Tiranës, ku uji është bërë jeshil dhe bakteret helmuese janë shndërruar në bombë ekologjike për banorët e kryeqytetit. Pamjet janë vërtet shqetësuese dhe vijnë si një thirrje kumbuese për veprim nga Bashkia e Tiranës.
Këto pamje janë publikuar nga ish deputeti demokrat dhe njëherësh drejtuesi politik i PD në qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi, ku duket qartë sesi uji ka ndryshuar trajtë dhe ngjyrë. Një shtesë alarmate algash kanë zaptuar sipërfaqen ujore të liqenit të cilat janë krijuar si pasojë e dredhjeve të vazhdueshme të ujërave të patrajtuara urbane.
“Situata në prag katastrofe tek Parku i Liqenit! Kreu i 5D Erion Veliaj tashmë kthen liqenin artificial të Tiranës në një bombë ekologjike, ku cianobakteret helmuese kanë pushtuar hapësirën.
Pasi e zhveshi liqenin për shkak të monstrave të betonit që janë ndërtuar brenda parkut, pasi gënjeu të madh e të vogël me mashtrimin epik të “pyllit orbital” me 1 milionë pemë (për të cilat do duheshin dhe 10 parqe të tjera si ky që kemi sot), tani pronari faktik i Inceneratorit Tiranë ka vendosur që ujrat e zeza të jenë padron i të vetmes hapësire të gjelbër që ka Tirana.
Dëmin, vjedhjen dhe betonizimin që i ka shkaktuar ky përbindësh korrupsioni Tiranës, është i pariparueshëm. Tirana është shndërruar në kompaninë private dhe makinën financiaro-elektorale të një individi të vetëm, i cili mesa duket ka një urrejtje të pashembullt për qytetin tonë“, shkruan Belind Këlliçi.