Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri – PPNEA ka ndarë disa pamje të trishta që tregojnë një koloni të madhe flamingosh që braktisin lagunën e Nartës në Vlorë, sapo në qiell dëgjohet zhurma e dy avionëve testues për Aeroportin.
Pamjet janë kapur dje në lagunë, ku shihet qartë sesi flamingot e ndjejnë zhurmën para se avioni të shfaqet në horizont.
PPNEA thotë se ishin qindra flamingo që po fillonin të grumbulloheshin dhe shfaqnin sjellje folezuese njësoj si disa vite më parë në Nartë, por u larguan nga vendi potencial i kolonisë. Sipas Shoqatës, dhe vetëm dy avionë mund të shkaktojnë një degradim të pakthyeshëm të popullatave të shpendëve, duke i bërë ata të braktisin foletë e tyre dhe të dështojnë sezonin e riprodhimit.
“Nëse pas një viti ose më vonë aeroporti vihet në operim, ku dhjetra fluturime priten çdo ditë, ne do të humbasim popullatat e shpendëve dhe për pasojë do të kemi një habitat të degraduar pa jetën e egër që e mirëmban atë.
Duke ndjekur videon deri në fund, do të kuptoni se flamingot e perceptuan zhurmën e avionit në distancë, akoma pa mbërritur në mikrofonin e kameras”, thuhet në reagimin e PPNEA, ndërsa shtrohet pyetja: Po nëse do të kemi qindra fluturime në ditë në deltën e lumit Vjosë?
Dje, më 8 Maj qeveria ka deklaruar kryerjen e dy testeve të para në Aeroportin e Vlorës, ku janë ulur një avion italian i tipit Piagio P.180 Avanti me regjistër I-ENAV, i cili i përket Autoritetit të Aviacionit Civil Italian dhe një avion privat i kompanisë zviceriane Travelcoup që kryen fluturime luksoze çarter, i tipit Embraer ERJ-145 me regjistër D-AMME.
Marrë nga Newsbomb.al