Më 1947, Gorizia qe ndarë papritmas midis Italisë e Sllovenisë. Më 2025, dy qytete do të ribashkohen për t’u bërë i pari “Kryeqytet evropian i kulturës” i sojit transnacional
Një kohë Nova Gorica e Gorizia ishin një; si dy qytete u krijuan – dhe u ndanë – më 1947, pas Luftës së Dytë Botërore, kur Traktati i Parisit i krijoi kufijtë e rinj të Evropës, duke e kufizuar udhëtimin mes Italisë e ish-Jugosllavisë. Një komision i forcave aleate vendosi që Gorizia t’i përkiste Italisë, ndërsa pjesa më pak e zhvilluar e qytetit t’i bashkohej Republikës së Sllovenisë, përbrenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Qyteti i ri do të quhej Nova Gorica dhe që nga ai moment Nova Gorica e Gorizia ekzistuan si dy qytete të ndara nëpër dy shtete.
Por, kur Sllovenia hyri në BE më 2004, kufiri mes tyre u zhbë, duke lejuar shkëmbim kulturor tejkufitar për të parën herë ndër gjenerata. Dhe më 2025, Gorizia – Nova Gorica do të ribashkohen si i pari Kryeqytet Evropian i Kulturës i sojit transnacional, në kuadër të projektit GO!2025.
Të njëjta, por të ndryshme
Ndonëse ndajnë të njëjtin brumë, dy qytetet janë shumë ndryshe prej njëri-tjetrit. Gorizia mesjetare është qytet që mbart nur vjetërsie me kalldrëme dhe e mbushur me kafene që gumëzhijnë. E karakterizon kështjella me muze ku organizohen ekspozita me instalacione të fjalës së fundit të teknologjisë që e portretizojnë jetën në kështjellë përgjatë shekujsh. Ndryshe prej saj, Nova Gorica – e dizajnuar për t’i treguar botës se Jugosllavia e Josip Broz Titos qe e aftë për zhvillim urban të shkallës së lartë – është moderniste dhe risitë e saj relative – arkitekturat e betonit të shtruara në një linjë – janë shenja të vetme dalluese që tregon se keni kaluar një kufi.
Tomaž Gržeta, për shembull, është gazetar slloven i lindur në Nova Gorica, por që jeton në Gorizia, ngase i pëlqen bota e muzikës aty. E kalimin nga njëri në tjetrin qytet ai thotë se e ka të pavërejtshëm veçmas që pas 2004-s, kur mes tyre u hoqën gjithë pikëkalimet. Si kufi kualifikohet Piazza Transalpina përballë stacionit kryesor të trenit – teknikisht në Slloveni – ku turistët rreshtohen për t’u fotografuar tek qëndrojnë me njërën këmbë në Slloveni e tjetrën në Itali. Pikërisht në këtë pjesë janë bërë intervenimet më të kushtueshme për programin GO!2025. Sheshi u transformua në hapësirë për performanca kulturore dhe për muze që përfshijnë si galeri arti nëntokësore ashtu edhe amfiteatro që ngrihen sikurse krahë në të dyja anët e kufirit.
Historia e ndërlikuar e kufirit të padukshëm
Evelin Bizjak, cicerone lokale, shembullin e kësaj e dha tek po qëndronte para muzeut slloven “Muzej na Meji”.
“Jetojmë në një shtëpi afër Solkanit”, tha ajo, tek aludoi në urën më të gjatë në botë prej guri, të ndërtuar më 1905 e që shtrihet mbi lumin Soça. “Gjyshja ime u lind në Austro-Hungari. Babai në Mbretërinë e Italisë. Unë u linda në Jugosllavi. Sikur të kisha fëmijë, ata do të lindnin në Slloveni”.
Kur kufiri i ri u përcaktua në Konferencën e Paqes së Parisit, forcat aleate e tërhoqën një vijë të drejtë me laps e vizore mbi hartë dhe ua prezantuan ushtarëve. Vija priste fusha e nganjëherë edhe shtëpi. Një fotografi e asaj kohe madje e shpërfaq një lopë që me njërën gjysmë të trupit qëndronte në Itali e me tjetrën në Slloveni. Disa hapa tutje vendit ku është shkrepur kjo fotografi, në drejtim të Gorizias është Lasciapassare, një muze italian. Një kërcim, hap e lëvizje e lehtë në anën e kundërt është Muzej na Mej, simotra e tij sllovene. Që të dyja u ndërtuan sipas zakoneve të vendeve së cilave u përkisnin.
Muzetë shpërfaqin mënyrat se si qe jeta përgjatë kufirit. Jugosllavët mund ta kalonin me librezë speciale që funksiononte si leje ditore për udhëtim në distancë maksimale prej 30 kilometrash. Ajo përmbante kuponë për të blerë mallra që s’gjendeshin në Jugosllavi. Kafeja, detergjentet për rroba, bananet dhe çokollatat ishin produktet më të kërkuara nga jugosllavët, teksa italianët kalonin matanë kufirit për mish dhe raki shtëpiake. Krejt ato që bliheshin e që s’përfshiheshin në kuponë duhej kontrabanduar. E kjo nuk qe praktikë e pazakontë.
“Kur kufiri u përcaktua, familjet patën dy muaj kohë për të vendosur nëse duan të jenë jugosllavë apo italianë”, thotë Alex Tammer, ciceron në Lasciapassare. “Të gjithë këndejpari kanë familjarë në anën tjetër”.
Ata që zgjodhën të bëheshin jugosllavë u bënë banorët e parë të Nova Goricas, që u dizajnua nga arkitekti modernist Edvard Ravnikar.
E tani, shumë vjet pas gjithë kësaj, Gorizia e Nova Gorica janë qytete që Adriatikun e kanë veç 30 kilometra larg nga ana jugore e Alpet 40 kilometra nga veriu. Pikërisht këtu, dy kultura dhe kombe bashkëjetuan pothuajse përjetësisht në harmoni. Është ky vend i përkryer për të parë se si mungesa e kufirit mund ta funksionojë lehtësisht në praktikë dhe GO!2025 e ofron një shans ideal për ta eksploruar dhe festuar njërin prej vendeve përnjëmend transnacionale në Evropë.
Marrë nga BBC