Rreth një e katërta e popullsisë në Shqipëri është njëkohësisht e ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike dhe e cenueshme ndaj pasojave të tyre, sipas të dhënave në raportin e ri të Bankës Botërore. Shqipëria renditet e treta ndër 18 ekonomitë e paraqitura, pas Bosnjë-Hercegovinës dhe Moldavisë, ndërsa bujqësia vazhdon të përfaqësojë rreth 31% të punësimit.
Sipas Bankës Botërore, në Shqipëri ka një ekspozim të lartë të popullsisë ndaj këtyre rreziqeve, pasi pjesa më e madhe e vendeve të punës mbështetet ende te sektori bujqësor.
Treguesi klimatik nuk mat vetëm sa njerëz jetojnë në zona të ekspozuara ndaj rreziqeve. Ai përfshin edhe cenueshmërinë ndaj pasojave të tyre, ku hyn aftësia e kufizuar për t’i përballuar. Shqipëria qëndron mbi Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi për këtë tregues. Bosnjë-Hercegovina ka nivelin më të lartë ndër ekonomitë e paraqitura, e ndjekur nga Moldavia dhe Shqipëria.
Nga të dhënat, pesha shqiptare është dukshëm më e lartë se ajo e Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Brenda grupit të ekonomive të paraqitura, Shqipëria qëndron pas Moldavisë, Taxhikistanit, Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë.
Ky krahasim e lidh çështjen klimatike me të ardhurat dhe punësimin. Kur bujqësia mban një pjesë të madhe të vendeve të punës, goditjet mbi prodhimin mund të prekin drejtpërdrejt jetesën e shumë familjeve. Raporti thekson një lidhje mes varësisë më të lartë nga bujqësia dhe cenueshmërisë klimatike, por nuk llogarit një humbje ekonomike specifike për Shqipërinë.
Banka Botërore paralajmëron se thatësira në Evropë, ngjarjet më të shpeshta e më të rënda të motit dhe kostot e larta të plehrave kimike mund të dëmtojnë prodhimin bujqësor. Këtyre u shtohen ndërprerjet në tregtinë e drithërave dhe në transport, duke rritur rrezikun e presioneve të reja mbi çmimet ushqimore.
Marrë nga Ekofin.al