Me ndryshimet klimatike, zjarret janë duke bërë gjithnjë e me agresive duke dëmtuar jo vetëm pronat, pyjet dhe banesat, por edhe jete njerëzish.
Në një analizë të posaçme mbi Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSh) tregon një progres të dukshëm në burime njerëzore, por ngecje shqetësuese në kapacitetet logjistike.
Gjatë dekadës së fundit, që prej vitit 2016 kur bashkitë morën zyrtarisht menaxhimin e këtij funksioni nga Ministria e Brendshme, numri i efektivëve zjarrfikës ka pësuar një rritje pothuajse dyfish. Nga 739 punonjës që ishin në fillim të procesit, në vitin 2024 ky numër ka arritur në 1,371 në fund të 2024.
Nëse në vitin 2015 vendi numëronte vetëm 0.38 zjarrfikës për çdo 1,500 banorë, sot kjo shifër ka arritur në 0.86. Kjo rritje jo vetëm që tregon një trend pozitiv vendas, por e vendos Shqipërinë në një pozicion mjaft të favorshëm në raport me Bashkimin Evropian, ku mesatarja e 27 vendeve anëtare luhatet rreth nivelit 0.81.
Në krahun tjetër situata e mjeteve paraqitet më problematike. Treguesi i automjeteve zjarrfikëse mbetet në kuotën e 1 mjeti për çdo 10,000 banorë, një nivel pothuajse i pandryshuar nga viti 2023. Trendi në rënie i mjeteve funksionale shpjegohet kryesisht me daljen e tyre nga shfrytëzimi për shkak të vjetërsisë. Në logjistikë kemi një hendek të madh me vendet si Gjermania apo Austria, pasi në këto shtete, standardet janë shumë më rigoroze, ku zonat urbane me densitet të lartë mbulohen me një automjet për çdo 500 deri në 1,000 banorë.
Përballë efekteve gjithnjë e më të prekshme të ndryshimeve klimatike dhe shtimit të fatkeqësive natyrore, të dhënat tregojnë se personeli i trajnuar nuk mjafton pa investimet e duhura në infrastrukturë. Nevoja për mjete të reja, veshje mbrojtëse dhe pajisje moderne është tashmë emergjente.
Pa një ndërhyrje të koordinuar për të rinovuar flotën logjistike, shërbimi i mbrojtjes nga zjarri rrezikon të mbetet i pafuqishëm përballë situatave kritike, pavarësisht rritjes së numrit të personelit.
Marrë nga Monitor