Një kontroll i pazakontë duket se ka nisur në tregun e taksive në Tiranë. Sipas drejtuesve të mjeteve taksi në kryeqytet, inspektimet janë shtuar javët e fundit, ndërsa në disa raste kontrollorët prezantohen fillimisht si klientë të zakonshëm për të verifikuar nëse udhëtimi kryhet me taksimetër aktiv apo me çmime të negociuara informalisht.
Fenomeni vjen në një kohë kur ankesat e qytetarëve për tarifa arbitrare dhe mungesë transparence në transportin urban me taksi mbeten të shpeshta.
Sipas rregullave të shërbimit taksi në Shqipëri, çdo mjet duhet të jetë i pajisur me taksimetër të verifikuar dhe të plombuar nga autoritetet përkatëse, dokument që kërkohet edhe për licencimin e aktivitetit nga Bashkia e Tiranës.
Në praktikë, një pjesë e tregut funksionon ende me marrëveshje verbale për çmimin, sidomos në zonat turistike, aeroport, gjatë orëve të vona apo për klientët e huaj. Kjo krijon një ekonomi gri brenda shërbimit taksi, ku tarifa reale shpesh nuk reflektohet në sistem dhe mbetet jashtë monitorimit fiskal.
Operatorët e tregut thonë se kontrollet janë bërë më të shpeshta gjatë javëve të fundit, ndërsa fokusi kryesor mbetet aktivizimi i taksimetrit dhe respektimi i tarifave të deklaruara. Në disa raste, sipas tyre, verifikimet kryhen përmes personave që paraqiten fillimisht si pasagjerë të zakonshëm.
Sipas informacioneve të marra nga Drejtoria e Transportit dhe Trafikut Rrugor, Tirana ka rreth 2850 mjete të licencuara dhe 130 subjekte juridike që operojnë në kryeqytet deri vitin e shkuar.
Bazuar në të dhënat e Cens 2023 për popullsinë banuese, kryeqyteti shqiptar ka aktualisht 4.8 taksi për çdo 1,000 banorë. Kjo shifër e rendit Tiranën ndër vendet me numrin më të lartë në Europë dhe në Ballkan, teksa ia kalon vetëm Podgorica (4.9). Pas kryeqytetit shqiptar vjen Sarajeva (4.6). Në Europë, kryeqyteti më i ngarkuar është Parisi, me 8.5 taksi për 1 mijë banorë.
Marrë nga Monitor