Një valë protestash sociale dhe politike kanë përfshirë Evropën ditët e fundit. Nga Franca në Itali, Gjermani dhe Spanjë, qytetarët kanë dalë në sheshe kundër rritjes së kostos së jetesës, përkeqësimit të shërbimeve publike dhe politikave qeveritare. Në disa qytete demonstratat janë shoqëruar me dhunë, zjarrvënie dhe dëme materiale.
Franca është ndër vendet më të prekura nga protestat. Rreth 700 mijë persona morën pjesë në demonstratat e fundjavës, ndërsa autoritetet raportuan mbi 1800 arrestime. Parisi është ndër vendet më të prekura.
Protestat u nxitën nga rritja e çmimeve të karburanteve, kostoja e jetesës dhe pakënaqësia për shërbimet publike, veçanërisht në arsim. Në disa qytete, grupe personash të maskuar sulmuan biznese, dogjën automjete dhe u përplasën me policinë, ndërsa shumica e demonstratave vijoi në mënyrë paqësore.
Në Limoges, një zjarr përfshiu një godinë historike. Presidenti Emmanuel Macron dënoi dhunën dhe kërkoi që autorët të mbajnë përgjegjësi.
Tensionet u përhapën edhe në Itali, ku demonstratat u shoqëruan me përplasje në Milano dhe Bolonja. Në Milano, pranë Katedrales Duomo dhe Galerisë Vittorio Emanuele II, policia përdori gaz lotsjellës pasi u sulmua me gurë dhe sende të tjera. Persona të maskuar tentuan të hynin në galerinë tregtare, ndërsa dyqanet mbyllën qepenat dhe stacioni i metrosë Duomo u mbyll përkohësisht.
Në Gjermani, më shumë se 45 mijë nxënës dhe të rinj protestuan në rreth 100 qytete, përfshirë Berlinin, Hamburgun, Mynihun dhe Frankfurtin.
Në Spanjë, kriza e strehimit dhe rritja e çmimeve të qirave kanë nxitur protesta në Madrid.
Përtej protestave, një tjetër front po merr rëndësi për sigurinë evropiane: lufta hibride. Ajo nuk zhvillohet vetëm përmes fuqisë ushtarake, por edhe përmes sulmeve kibernetike, propagandës, dezinformimit dhe operacioneve të ndikimit që synojnë të shfrytëzojnë krizat e brendshme.
Në këtë betejë, objektivi nuk është vetëm ndikimi te opinioni publik, por edhe krijimi i një klime të vazhdueshme mosbesimi, ku institucionet perceptohen si të dobëta, shoqëritë ndahen në kampe kundërshtare dhe çdo krizë shndërrohet në burim të ri destabilizimi.
Marrë nga AFP