Katër organizata i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për shfuqizimin e vendimit të qeverisë nr. 596, të 25 shtatorit 2024, që hoqi nënzonimin dhe ndryshoi shkallën e mbrojtjes së Pishë Poro–Nartës. Organizatat kërkojnë edhe pezullimin e zbatimit të VKM-së deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës.
Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS), EcoAlbania, REC Albania dhe Res Publica argumentojnë se territori vijon të mbajë statusin “Peizazh i mbrojtur”, por vendimi i vitit 2024 hoqi ndarjen e brendshme në nënzona dhe mbrojtjen më të lartë që kishte pjesa më e çmuar e tij.
Me VKM-në e vitit 2022, qeveria kishte përcaktuar se 6,904 hektarë, ose 42,82% e zonës, kishin “vlera të larta e të rralla për trashëgiminë natyrore e biodiversitetin”. Aty zbatohej shkalla më e lartë e mbrojtjes dhe lejoheshin vetëm kërkimi shkencor dhe ekoturizmi. Me VKM-në e vitit 2024, e gjithë sipërfaqja prej 16,124 hektarësh kaloi në shkallën e tretë të mbrojtjes. Sipërfaqja nën mbrojtjen më të lartë ra nga 42,82% në zero. Vendimi lejoi në zonë struktura akomoduese turistike, instalime energjetike, ndërtime, autostrada, kanale lundruese dhe zona urbane me leje të Këshillit Kombëtar të Territorit.
Sipas kërkesës, vetë relacioni i ministrisë pranon se vlerat e natyrës në zonë janë “përmirësuar”. Si arsye për heqjen e nënzonave jepet fakti që kategoria “Peizazh i mbrojtur” e kërkon këtë “detyrimisht”. Organizatat argumentojnë se ky pohim bie ndesh me standardet e Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), mbi të cilat ligji shqiptar i detyron institucionet të mbështeten. Ato shtojnë se disa nga ndryshimet thelbësore, përfshirë marrëveshjet me zhvilluesit “për përdorimin e zonës së mbrojtur”, nuk ishin fare në projektvendimin që u vu në konsultim publik.
“Çështja që kemi çuar në Gjykatën Kushtetuese nuk lidhet vetëm me një zgjedhje administrative për zonimin e Pishë Poro–Nartës. Ne ngremë pretendimin se VKM-ja cenon standardet kushtetuese të mbrojtjes së mjedisit dhe bie ndesh edhe me detyrimet ndërkombëtare që Shqipëria ka marrë përsipër për mbrojtjen e biodiversitetit, ligatinave dhe pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore”, thotë për Citizens.al Irena Dule, avokate e Qendrës Res Publica.
Leja para vlerësimit mjedisor
Kërkesa ndalet te projekti “Zvërnec Peninsula” i shoqërisë “Zvërnec South Adriatic Development”, një kompleks turistik, banimi dhe marine në gadishullin e Zvërnecit. Projekti lidhet me Jared Kushner dhe ka nxitur muaj me protesta në kryeqytet. Më 30 mars 2026, KKTU-ja i dha projektit leje zhvillimi. Më 29 prill i dha leje për rrethimin e pronës dhe për punime përgatitore për rrugët e aksesit. Sipas ministrit të Mjedisit, zhvilluesi aplikoi për vlerësimin e ndikimit në mjedis vetëm më 5 maj. Pra, leja për punimet në terren u dha përpara se të nisej procedura mjedisore.
Në dokument citohen verifikimet në terren që tregojnë se janë hapur rreth 8 kilometra rrugë, është ndërtuar një urë mbi kanalin e Portonovës dhe janë pastruar rreth 2,8 hektarë dunë dhe pyll pishe. Prokuroria ka regjistruar më parë një procedim penal për ndërtim të paligjshëm dhe dëmtim habitatesh. Punimet janë pezulluar përkohësisht, në pritje të vlerësimit të thelluar të ndikimit në mjedis. Organizatat theksojnë se lejet dhe regjimi që i bëri të mundura mbeten në fuqi.
Në prill, Byroja e Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës shprehu shqetësim për “vendimet e fundit për lëshimin e lejeve shtesë të ndërtimit” brenda zonës Emerald. Berna paralajmëroi se ndikimi i tyre do t’i shtohej ndikimit që ka aeroporti i Vlorës.
Sipas kërkesës, zona nuk ka plan menaxhimi prej gati katër vjetësh. VKM-ja e vitit 2022 kërkonte që plani të hartohej brenda dy vjetëve. Vendimi i vitit 2024 e shfuqizoi atë pak javë para se ky afat të skadonte dhe e nisi afatin nga e para. Afati i ri skadon më 27 shtator 2026. Ndërkohë, VKM-ja lejon në zonë “çdo veprimtari tjetër, në përputhje me planin e integruar të menaxhimit”, një dokument që nuk ekziston.
Pishë Poro–Narta nuk është rasti i vetëm. Po atë ditë, më 25 shtator 2024, qeveria miratoi vendime me të njëjtën formulë për peizazhet e mbrojtura të Rrushkullit, Krastë–Verjonit, Liqenit të Pogradecit dhe Bjeshkëve të Oroshit.
Planet për zhvillimin turistik të territorit janë më të hershme edhe se ndryshimet ligjore. Citizens.al ka analizuar më herët një masterplan për Zvërnecin, me projektues “Archea Associati” dhe zhvillues “Kastrati Group”, si dhe masterplanët për brezin bregdetar të deltës së Vjosës, zonë e cila mbeti jashtë Parkut Kombëtar në vitin 2023.
Ligji përsëri para Gjykatës
Në korrik 2025, Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e deputetëve kundër ligjit nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura. Gjykata arsyetoi se përputhja me detyrimet ndërkombëtare mund të verifikohej vetëm kur të nxirreshin vendimet konkrete për secilën zonë.
“Gjykata Kushtetuese e ka shqyrtuar më parë ligjin e vitit 2024, në një moment kur pasojat konkrete të tij mbi zona të caktuara ende nuk ishin materializuar. Sot kemi pikërisht një nga këto pasoja konkrete përpara saj”, shpjegon Dule.
Për këtë arsye, organizatat i kërkojnë Gjykatës që ta shtrijë kontrollin edhe mbi dispozitat e ligjit që e detyruan këtë ndryshim. Bëhet fjalë për nenin që përcakton shkallën e tretë të mbrojtjes për peizazhet e mbrojtura dhe për nenin që e kufizon zonimin e brendshëm vetëm te parqet kombëtare dhe parqet natyrore. Sipas Dules, Gjykata tani ka mundësinë të shqyrtojë jo vetëm mënyrën si është zbatuar ligji, por edhe nëse vetë ligji që i hapi rrugë këtyre ndryshimeve është në përputhje me Kushtetutën.
Në gusht, Citizens.al raportoi se Res Publica dhe EcoAlbania kishin depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Vlorës për ndërhyrjet në Pishë Poro–Nartë në funksion të projektit “Zvërnec Peninsula”. Organizatat kërkuan hetimin e punimeve, të ndikimit të tyre në habitatet e mbrojtura dhe të rolit të institucioneve përgjegjëse.
Marrë nga Citizens.al