Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë sonte ndeshjen e fundit të Grupit 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve, përballë Lituanisë, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Trajneri Franco Foda pritet të bëjë disa ndryshime në formacionin e Kosovës, duke i dhënë mundësi edhe disa lojtarëve të rinj të dëshmojnë veten në këtë përballje që mund të mos ketë shumë ndikim në renditje, pasi Kosova është tashmë e dyta në grup, me 9 pikë, tri më pak se Rumania.
Megjithatë, një pjesë e madhe e vëmendjes mbetet te ndeshja e ndërprerë ndaj Rumanisë, ku Dardanët u tërhoqën nga fusha për shkak të thirrjeve raciste nga tifozët rumunë.
UEFA ende nuk ka marrë një vendim për këtë ndeshje, e cila ishte e barabartë 0:0 deri në minutat shtesë.
Pavarësisht kësaj, fokusi i Kosovës është te Lituania, që e kishte mundur në ndeshjen e parë në udhëtim.