“Vorio Epiri është një term i vdekur”, fraza e përdorur nga kryeministri Edi Rama gjatë takimit më shqiptarët në Selanik, ka nxitur tensione në Greqi, ku ka pasur reagime nga Athina Zyrtare.
Zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis tha se Vorio Epiri mund të mos ekzistojë për kryeministrin Rama, por në Shqipëri ekziston komuniteti grek dhe se të drejtat e këtij minoriteti duhen respektuar.
Respektimi i të drejtave të minoritete grek është kush për integrimin, shtoi Marinakis, dhe se rruga e Shqipërisë drejt BE kalon nga Athina.
“Vorio Epiri mund të mos ekzistojë për zotin Rama, por imagjinoj se është e vetëkuptueshme që në Shqipëri jeton minoriteti etnik grek dhe të drejtat e tij. Respekti i tyre dhe në përgjithësi për minoritetin etnik grek në Shqipëri është një kusht i qartë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, sipas qëndrimit unanim të 27 vendeve anëtare, siç theksoi me të drejtë Ministria e Punëve të Jashtme. Me pak fjalë, rruga e Shqipërisë drejt Europës kalon nga Athina, kalon nga Greqia dhe ka një kusht që askush nuk mund ta anashkalojë, që është respekti i minoritetit etnik grek në Shqipëri”, tha Marinakis në një konferencë për shtyp.
Më herët për këto deklarata reagoi edhe Ministria e Jashtme greke, e cila tha se “historia mes dy vendeve nuk ndryshon dhe nuk fshihet”.
“Historia nuk skadon dhe mban gjallë kërkesën për respektimin e plotë, nga ana e Shqipërisë, të të drejtave të minoritetit etnik grek. Ky përbën një kusht të qartë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, sipas qëndrimit unanim të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të datës 11 tetor 2024”, citon CNN.gr burimet diplomatike greke.
Në takimin me shqiptarët në Selanik më 3 nëntor, kryeministri Edi Rama tha ishte kërcënuar nga “një grup fantazmash të gjalla të së shkuarës, me fletushka dhe me parulla qesharake të frymëzuara nga i ashtuquajtur Vorio Epiri”.
Vetë Rama tha se këto nuk janë arsye për të kultivuar ndjenja negative ndaj Greqisë, duke e cilësuar atë si një “partner të domosdoshëm, bashku me Italinë dhe Turqinë, në politikën tonë të jashtme”.
Marrë nga RTSH