Kina ka reaguar për rezultatin zgjedhor në SHBA. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning në një konferencë për shtyp deklaroi se shteti i saj shpreson për një “bashkëjetesë paqësore” me Shtetet e Bashkuara, pasi Donald Trump është në tashmë në drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Ajo tha se Kina do të vazhdojë t’i qaset dhe menaxhojë marrëdhëniet me SHBA-në bazuar në parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit reciprokisht të dobishëm.
Qeveria iraniane ka pasur reagim neutral për rezultatin zgjedhor ku tha se nuk ka dallim të rëndësishëm se kush bëhet president në SHBA.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka në plan të përgëzojë Donald Trump për fitoren e zgjedhjeve presidenciale. Ai tha se nuk duhet harruar se po flitej për një vend jo mik që është i përfshirë drejtpërdrejt dhe indirekt në luftën kundër Rusisë. Peskov tha se Rusia po monitoron me kujdes informacionin mbi zgjedhjet në SHBA dhe nuk ka gjasa të japë një vlerësim zyrtar derisa të shohë “fjalë dhe veprime konkrete”. Kur u pyet nëse Trump mund të ofendohej nga mungesa e urimeve të Putinit, zëdhënësi i Kremlinit tha se është praktikisht e pamundur që marrëdhëniet të përkeqësohen më tej.