Pas rritjes së lartë të eksporteve të vajit të ullirit në 2023, sivjet ka nisur rënia e tyre. Sipas të dhënave të Doganave, për periudhën janar-tetor 2024 janë eksportuar 2,418 mijë kg vaji ulliri. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar eksportet janë ulur 58,4%. Rritja e eksporteve, kryesisht të vajit rifuxho drejt Italisë u nxit pas bumerangut të krijuar me mbiprodhimin e vitit 2022, ku fermerët nuk gjenin treg shitje për vajin e ullirit.
Edhe me prodhimin e ri kërkesa për eksportin e vajit rifuxho nga pikat e grumbullimit është e lartë, por prej tyre po kërkohet që vaji të grumbullohet me çmim nën 550 lekë për litër. Për këtë arsye shumë fermerë nuk po çojnë vajin ullirit në pikat e grumbullimit, me destinacion eksportin e tij drejt Italisë. Ndërkohë nga përpunuesit vendas vaji i ullirit po grumbullohet me çmim deri në 630 lekë për litër.
Përveç eksporteve rifuxho, në vend shumë përpunues eksportojnë vajin e ullirit “ekstra virgin” me markën e tyre. Por ato thonë se pavarësisht lehtësisë fiskale të përjashtimit të TVSH-së, këtë vit shtrenjtimi i kostos prodhuese ka sjellë që çmimi i shitjes të mos jetë konkurrues krahasuar me prodhuesit spanjollë apo italianë. Sipas përpunuesve sivjet u shtrenjtua kostoja për prodhimin e vajit të ullirit e ndikuar nga përgjysmimi i rendimentit dhe rritja deri në 50% e pagesave të vjelësve.
Marrë nga Monitor