Pas daljes nga SPAK, drejtuesi politik i PD për Tiranën Belind Këlliçi ka mbajtur një prononcim për mediat. Ai konfirmoi se është thirrur në Prokurorinë e Posaçme për shkak të denoncimeve që ka bërë për aferën 5D.
Ai u shpreh se duhet bërë një hetim më i zgjeruar, përfshirë administratorin Nestor Muhametllari, ndaj të cilit është marrë vetëm një masë sigurie.
“Për ato pjesë që janë pjesë e sekretit hetimor dhe që më është kërkuar nga organi i akuzës që të mos i bëj publike, sigurisht që nuk kam ndërmend t’i bëj publike. Por padyshim dua të ndalem pak te kërkesa ime dhe te deklaratat e mia të dhëna edhe para organit të akuzës.
Vijoj t’i qëndroj fort kërkesës për zbatimin e të gjithë rekomandimeve të Gjykatës së Apelit të Posaçëm, të dhëna para pak muajsh, në të cilat kërkohet hetimi i shtetases Jona Bejko, e cila ka deklaruar në komunikimet e saj private, tashmë të bëra publike, se hoteli me vlerë 50 milionë euro në Durrës ka si aksioner “Lali Erin”. Të na e sqarojë organi i akuzës kush është “Lali Eri” për të gjithë qytetarët shqiptarë që ende nuk e dinë.
Kam kërkuar në mënyrë të veçantë të hetohet roli i prestanomes, administratori Nestor Muhametllari, i cili është i vetmi prestanomë de facto, që është i lirë dhe ndaj të cilit nuk ka ende asnjë masë. Duhet të hetohet cili ka qenë roli i këtij individi, pasi mendoj se dëshmia e tij mund të shërbejë si një moment kyç për zbardhjen e kësaj afere.
Vijoj ta kritikoj SPAK-un në raport me çështjen e inceneratorit të Tiranës. Nuk kam si të mos e kritikoj, kur sot që flasim, ne që jemi këtu paguajmë 80 mijë euro në ditë për një incenerator që nuk ekziston. Kanë kaluar 4 vite nga hapja e kësaj çështjeje, dhe prokuroria ende ka frikë t’i përmendë emrin Erion Veliajt,” tha Këlliçi.
Marrë nga Newsbomb