Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka kërkuar një interpretim Komisionit të Venecias për vijimin e mandatit të saj në krye të këtij institucioni.
Zaçaj u zgjodh në detyre, duke zëvendësuar Vitore Tushën thekson se data e përfundimit të mandatit, nuk duhet të jetë viti 2017.
“Mandati i gjyqtares Holta Zaçaj rregullohet nga neni 179, pika 3, i Kushtetutës, i cili parashikon se, me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin të cilit i mbaron mandati në vitin vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025.
Mbi bazën e kësaj dispozite kushtetuese edhe Gjykata e Lartë në vendimin e saj nr. 2, datë 16.01.2023 ka deklaruar: “Zgjedhjen e Znj. Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese me mandat të pjesshëm deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025.”.
Duke qenë se, as dispozita kushtetuese, për rrjedhojë as vendimi i Gjykatës së Lartë për zgjedhjen në detyrë të gjyqtares kushtetuese, nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre, bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025.
Data e përfundimit të detyrës së gjyqtarit paraardhës, në rastet kur ai ka përfunduar mandatin e plotë, nuk referohet nga Kushtetuta apo ligji si një ngjarje juridike, e cila përcakton edhe përfundimin e mandatit të gjyqtarit pasues.
Edhe në praktikën institucionale nuk rezulton të jetë zbatuar një rregull i tillë në përcaktimin e datës së përfundimit të ushtrimit të detyrës së gjyqtarëve kushtetues.
Për rrjedhojë, data 10 Mars 2017, që i referohet datës në të cilën gjyqtarja Vitore Tusha ka mbaruar detyrën e saj, nuk është përcaktuese për përfundimin e detyrës së znj. Holta Zaçaj si gjyqtare pasuese.
Pavarësisht sa më sipër, duke marrë parasysh rëndësinë e parimit të kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit kushtetues, marrë shkas nga ky rast por edhe, eventualisht, për të paraprirë situata të ngjashme në të ardhmen, kam konsideruar t`i drejtohem menjëherë Komisionit të Venecias, si organ këshillimor, për marrjen e një opinioni amicus curiae në lidhje me interpretimin e afatit kushtetues të qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve kushtetues në përgjithësi dhe, në veçanti, sipas parashikimeve të nenit 179, pika 3, të Kushtetutës.
Dëshiroj të garantoj opinion publik se, në cilësinë time si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, do të ushtroj përgjegjësitë e mia për të vënë në lëvizje Gjykatën në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias, i cili, ashtu si edhe kërkesa për amicus curiae, do të bëhet publik”, thekson Zaçaj.