Shqipëria është para një nevoje urgjente për të përmirësuar financimin për sektorin e arsimit dhe për një shpërndarje më të mirë të burimeve vuri në dukje UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë) në një analizë të posaçme të Arsimit në Shqipëri që u publikua kohët e fundit.
Analiza gjeti dobësi në menaxhimin e sektorit dhe sidomos në lënien pas dore të financimeve të cilat kanë pësuar ulje në raport me PBB-në dhe shpenzimet totale buxhetore gjatë dekadës.
Të ardhurat e qeverisë përbënin 28% të PBB në buxhetin e 2022 dhe kanë qenë në një trend në rritje gjatë dekadës së fundit. Shpenzimet buxhetore ishin 32% e PBB-së në 2022. Shpenzimet buxhetore kryesisht përqendrohen për mbrojtjen sociale dhe shpenzimet kapitale, këto të fundit zënë 22 % të totalit të buxhetit.
UNESCO analizon se shpenzimet e qeverisë për arsimin arritën në 59.1 miliardë lekë në vitin 2021 dhe ishin sa 3.1% të PBB-së, një nivel më i ulët se vendet e tjera të Ballkanit. Raporti vë në dukje se krahasuar me profesionet e tjera, pagat e mësuesve janë të ngjashme me ato të personelit mbështetës të teknikëve dhe janë dukshëm më të ulëta se pagat e profesionistëve dhe më të ulëta se në vendet fqinjë.
Si rrjedhojë e uljes së numrit të nxënësve është rritur kosto për nxënës dhe nuk ka një shpërndarje të mirë të burimeve. Kostoja e drejtimit të një klase nis nga 1.3 milionë lekë në vit për klasat në parashkollor deri në 3.1 milionë lekë për arsimin e mesëm. Në nivelet e arsimit bazë, rënia në numrit e nxënësve nuk është kompensuar nga ulja ekuivalente në burimeve vë në dukje UNESCO.
Raporti verën se me procesin e decentralizimit të iniciuar në vitin 2015, menaxhimi i rrjetit të shkollave është i ndarë ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MASH), e cila është kryesisht përgjegjëse për mësuesit dhe mbikëqyrjen e shkollës dhe qeverive vendore, të cilat mbikëqyrin infrastrukturës dhe anën operacionale të përditshme të shkollave. Mirëpo ndarja e përgjegjësive nuk ka funksionuar duke e ndikuar më tej negativisht sektorin arsimor në vend.
Marrë nga Monitor