Ministri britanik Andrew Gwynne është shkarkuar nga detyra pas mesazheve të rënda përçmuese dhe fyese që kishte nisur ndaj qytetarëve që nuk votuan Laburistët në zgjedhje.
Deputeti i Partisë Laburiste, Andrew Gwynne, është shkarkuar pasi dolën në dritë një sërë komentesh fyese dhe përçmuese për disa qytetarë dhe politikanë.
Në një nga komentet e tij, Gwynne tha se shpresonte që një pensioniste që nuk votoi për laburistët të vdiste para raundit tjetër të zgjedhjeve. Ai i bëri komentet në një grup në WhatsApp me figurat e Partisë Laburiste në zonën e tij.
Ai gjithashtu bëri komente tallëse për Diane Abbott, deputeten veterane të Laburistëve, në grupin në WhatsApp.
Gwynne, i cili u bë deputet në vitin 2005, është shkarkuar nga detyra e tij ministrore dhe është pezulluar nga Partia Laburiste në pritje të një hetimi.
Ai është ministri i tretë që jep dorëheqjen në muajt e fundit. Në fund të nëntorit, Louise Haigh, sekretarja e transportit në atë kohë, dha dorëheqjen pasi i’u zbulua një mashtrim. Në janar, ministrja kundër korrupsionit Tulip Siddiq dha dorëheqjen pas akuzave për sjellje të pahijshme, të cilat ajo i ka mohuar vazhdimisht.
Marrë nga Top Channel