Një denoncim i Qëndresa Qytetare mbi aktivitetin e bashkisë e qeverisë në 20 shkurt në sheshin “Skënderbej”, ku ishin prezent gjithë punonjësit e bashkisë, ka vënë në lëvizje komisionin e Ankimit në KQZ që është mbledhur pas mesdite dhe pritet në 16.20 të dalë me vendim, nëse aktiviteti ishte një aktivitet i raportuar por që nuk duhet të mbahej apo të lejohej.
KQZ ka vendosur më parë të japë leje për aktivitetin pas një kërkese të Bashkisë Tiranë për promovim turizmi edhe në prezencë të ambasadorëve. Por ajo që u duk ishte tjetër gjë: Rama foli përpara punonjësve të Bashkisë. Për këtë aktivitet ka raportuar në KQZ edhe kryeministria.
Ilir Rusmajli, anëtar i Komisionit të Ankimit në KQZ pyeti përfaqësuesen e kryeministrisë se pse e ka raportuar kryeministri.
“Deri më sot kryeministri ka bërë disa raportime për shumë nga aktivitetet që ka qenë i ftuar” tha përfaqësuesja e kryeministrisë.
Në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, ka qenë kryeministri në ndonjë aktivitet tjetër, pra një për turizmin dhe një me punonjësit e bashkisë? Pyeti në mënyrë ironike Ilir Rusmajli.
“Kryeministri ka marrë pjesë në një aktivitet që është raportuar në faqen e KQZ” u shpreh përfaqësuesja e kryeministrisë.
Ndërkohë përfaqësuesja e KQZ tha se për këtë aktivitet të 20 shkurtit ka marrë një denoncim edhe nga PD. “Nga ajo që gjykojmë ne, kemi të bëjmë me dy aktivitete të ndryshme në objekt: një i raportuar nga kryeministria, dhe tjetri i njohur tashmë nga faktet e njohura botërisht dhe të transmetuara në media” tha zyrtarja e KQZ.
Zyrtarja e KQZ tha gjithashtu se kanë kërkuar të marrin një prove, një ftesë nga Bashkia e Tiranës por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Atëherë në përfundim, KQZ kërkoi lënien në fuqi të vendimit për miratimin e aktivitetit që u plotësua nga kryeministria; ndërkohë qëndresa Qytetare kërkoi shfquzimin e vendimit të KQZ për lejimin e aktivitetit, për të proceduar më pas me gjobitjen e subjekteve organizatore sipas sanksioneve të Kodit dhe rregulloreve të KQZ për zhvillime të tilla.
Komisioni i ankesave kërkoi 30 minuta kohë për të dalë në vendim. Bëhet fjalë për aktivitetin e zhvilluar me iniciativën e bashkisë së Tiranës dhe pjesmarrjen e kryeministrit në 20 shkurt në Sheshin Skënderbej, e cila në fakt dukshëm kishte një qasje elektorale sidomos pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Marrë nga Newsbomb.al