Punonjësit e Zërit të Amerikës u hoqën nga puna këtë të shtunë dhe fondet për dy shërbime të lajmeve amerikane u shkurtuan, një ditë pasi Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për mediat e financuara nga qeveria dhe gjashtë agjenci të tjera federale.
Që nga kjo e shtunë, Ditari i Zërit të Amerikës, që transmetohej në orën 18:00 (më orën tonë) nuk është transmetuar dhe nuk do të transmetohet më për publikun shqiptar.
Ish-drejtori për Euroazinë në Zërin e Amerikës, gazetari shqiptaro-amerikan Elez Biberaj, përmes një postimin në rrjetin social “Facebook”, konfirmon mbylljen e agjencisë dhe këtë e konsideron një kapitull thellësisht të trishtuar në historinë e angazhimit të Amerikës me botën.
Agjencia Amerikane për Media Globale gjithashtu ndërpreu fondet për Radion Evropa e Lirë, e cila transmeton në vendet e Evropës Lindore, duke përfshirë Rusinë dhe Ukrainën, si dhe për Radion e Azisë së Lirë, e cila transmeton në Kinë dhe Korenë e Veriut.
Lëvizja vjen pas nënshkrimit të urdhrit ekzekutiv të premten nga Trump që udhëzon USAGM dhe gjashtë agjenci të tjera pak të njohura që të reduktojnë operacionet e tyre në minimumin e mandatuar nga ligji, duke thënë se ishte e nevojshme të tkurret burokracia.Trump, i cili u përplas me Zërin e Amerikës gjatë mandatit të tij të parë, zgjodhi ish-spikerin e lajmeve Kari Lake si drejtor të tij për mandatin e tij të dytë. Lake, një aleat i vendosur i presidentit, ka akuzuar shpesh mediat kryesore se ushqejnë paragjykime anti-Trump.
Presidenti i Klubit Kombëtar të Shtypit në Uashington, Mike Balsamo, përmes një deklarate në mediat sociale kundërshtoi lëvizjet në Zërin e Amerikës.
“Për dekada, Zëri i Amerikës ka ofruar gazetari të pavarur të bazuar në fakte për audiencën në mbarë botën, shpesh në vende ku liria e shtypit nuk ekziston”, tha Balsamo. Vendimi, tha ai, “minon angazhimin e Amerikës për një shtyp të lirë dhe të pavarur”.
Organizata Reporterët pa Kufij me bazë në Paris e kritikoi gjithashtu masën, me drejtorin e saj të përgjithshëm, Thibaut Bruttin, duke thënë se ajo “kërcënon lirinë e shtypit në mbarë botën dhe mohon 80 vjet histori amerikane në mbështetjen e një rrjedhje të lirë informacioni”.
Disa republikanë kanë akuzuar Zërin e Amerikës dhe media të tjera të financuara nga publiku se janë të njëanshme kundër konservatorëve. Muajin e kaluar, miliarderi Elon Musk , i cili po drejton përpjekjet për zvogëlimin e qeverisë së Trump, bëri thirrje që Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë të mbyllen në një postim në platformën e tij të mediave sociale X.
Marrë nga Top Channel