Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit nis zyrtarisht në datën 11 Prill ndërsa Partia Socialiste do të çelë fushatën më 12 Prill. Data e zgjedhur ka të bëjë me 12 yjet në flamurin e BE-së ndërsa Kryeministri Edi Rama ka shprehur se ka në fokus integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Hapja e fushatës nga Partia Socialiste do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Kujtojmë se Partia Demokratike më herët ka shpallur datën 11 Prill për çeljen e fushatës zgjedhore, ora 19:00.
Ndërkohë ambientet e Parkut Olimpik në Tiranë janë mbushur me kuti kartoni me fletë votimi për votuesit jashtë Shqipërisë, ndërsa po përgatitet edhe ambienti për monitorimin e votës.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, pak ditë më parë u shpreh se pas mbërritjes së fletëve të votimit do të fillohet me përgatitjen e zarfeve dhe të gjithë dokumentacionin përkatës.
KQZ ka bërë me dije se fletët e votimit do të mbërrijnë në Europë nga data 15 deri më 22 Prill. Sipas njoftimit zyrtar, në kontinentet e tjera do të mbërrijë nga data 15 deri më 25 Prill.
Pas marrjes, fleta e votimit dërgohet në KQZ brenda 3 ditëve nga momenti i marrjes. Kujtojmë se ky proces nuk ka asnjë kosto për votuesit pasi posta paguhet nga KQZ.