Autoritetet austriake janë në kërkim të përgjigjeve pse një 21-vjeçar i armatosur i vrau 10 njerëz në ish-shkollën e vet të mesme, para se ta vriste veten, duke e shkaktuar një prej sulmeve më të dhunshme në historinë moderne të vendit.
Në mesin e të vrarëve në sulmin e së martës ishte edhe një vajzë me prejardhje nga Kosova.
Policia tha se sulmuesi, i armatosur me pushkë me revole, veproi i vetëm.
“Është shumë e vështirë ta kuptosh këtë ngjarje”, tha Paul Nitsche, mësues i lëndës së studimeve fetare në shkollë, i cili doli nga klasa e tij para se sulmuesi të përpiqej të hynte, dhe e pa shkurtimisht duke u përpjekur të qëllonte bravën e një dere tjetër.
“Kjo është diçka që nuk mund ta parafytyroja kurrë më parë. Derisa po zbrisja shkallëve me vrap, mendova me vete: ‘Kjo nuk është e vërtetë’”, i tha ai transmetuesit kombëtar ORF.
Disa media austriake kanë raportuar se i riu, i cili nuk është identifikuar ende, duket se ndihej i bullizuar, megjithatë policia nuk e ka konfirmuar këtë. Autoritetet austriake thanë se ai nuk i kishte përfunduar kurrë studimet në atë shkollë.
Ai kishte lënë një letër të lamtumirës, e cila, sipas policisë, nuk zbulon motivin e sulmit. Po ashtu, një bombë artizanale që u gjet në shtëpinë e tij nuk ishte funksionale.
Franz Ruf, drejtori i përgjithshëm i sigurisë publike, tha se hetimet për motivin po kryhen me shpejtësi.
“Nuk duam të spekulojmë në këtë moment”, i tha ai ORF-së të martën në mbrëmje.
Policia austriake tha se viktimat u gjetën brenda dhe jashtë shkollës, në kate të ndryshme. Dhjetëra të tjerë u plagosën në sulm, disa në gjendje të rëndë.
Ngjarja shkaktoi një valë solidariteti të rrallë mes partive politike, zakonisht të ndara thellësisht në qëndrimet e tyre. Prindërit e nxënësve dhe banorët pranë shkollës po përpiqen të kuptojnë çfarë ndodhi.
Qindra njerëz u mblodhën të martën në mbrëmje në sheshin kryesor të Gracit, për t’i nderuar viktimat. Të tjerë vendosën lule dhe ndezën qirinj pranë shkollës. Dhjetëra njerëz u rreshtuan për të dhuruar gjak për të mbijetuarit.
Marrë nga Radio Evropa e Lirë