Një tjetër krim mjedisor po ndodh në lumin Fan, pas ndotjes alarmante të lumit Vjosa. Mësohet se fabrika e përpunimit të bakrit “Ber Alb” po shkarkon mbetjet e saj industriale në lumin Fan, pa asnjë filtrim apo kontroll.
Ndotja nis që në digën e fabrikës, ku mbetjet sterile të bakrit lëshohen në rrjedhën e lumit. Uji që del nga fabrika bashkohet me lumin e pastër, duke transformuar krejtësisht rrjedhën natyrore dhe duke përçuar ndotjen në disa fshatra të Njësisë Administrative Gjegjan.
Pamjet e publikuara së fundmi tregojnë se uji dhe shtrati i lumit kanë marrë një ngjyrë të errët, tipike për ndotjen nga metale të rënda. Banorët të shqetësuar flasin per dëmet e mëdha në bujqësi e blegtori. Ata kërkojnë që shteti të pezullojë punën e fabrikës dhe ta detyrojë të vendosë fitra pastrimi, pasi ky është episod i përsëritur.
Marrë nga Lapsi.al