SHBA-të dhe Kina zgjatën armëpushimin tregtar deri më 10 nëntor, vetëm disa orë përpara se dy ekonomitë më të mëdha në botë të vendosnin rritje të tarifave ndaj njëra-tjetrës.
Tarifat më të larta do të pezullohen për 90 ditë të tjera, thanë Pekini dhe Uashingtoni në një deklaratë të përbashkët.
Bisedimet e muajit të kaluar përfunduan me të dyja palët që i cilësuan diskutimet si “konstruktive”. Kryenegociatori i Kinës tha në atë kohë se të dy vendet do të punonin për të ruajtur armëpushimin, ndërsa zyrtarët amerikanë thanë se po prisnin miratimin përfundimtar nga presidenti Donald Trump.
Të hënën e 11 gushtit, Presidenti amerikan, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të zgjatur armëpushimin tarifor’ me Kinën për 90 ditë tjera, tha zyrtar i Shtëpisë së Bardhë disa orë para se të skadonte afati për vendosjen e tarifave treshifrore amerikane në mallrat kineze.
Urdhri erdhi pak pasi Trump e ka dhënë një përgjigje jozyrtare për gazetarët, teksa i ka kërkuar Pekinit t’i katërfishojë blerjet e sojës amerikane.
Armëpushimi tarifor mes Pekinit dhe Uashingtonit pritej të skadonte të martën.
Urdhri tani parandalon vendosjen e tarifave amerikane prej 145 për qind në mallrat kineze, dhe vendosjen e tarifave kineze prej 125 për qind në mallrat amerikane – shifra që do të mund të rezultonin me embargo virtuale tregtare.
“Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Trump në një konferencë për media, kur është pyetur nëse planifikon ta vazhdojë masën.
“Ata kanë negociuar goxha mirë. Marrëdhëniet janë shumë të mira mes Presidentit Xi [Jinping] dhe meje”.
Aktualisht, importet prej Kinës janë subjekte të tarifave amerikane prej 30 për qind, përfshirë tarifën bazë 10 për qind dhe tarifën prej 20 për qind të vendosur nga Uashingtoni në shkurt dhe mars, për shkak të fentanolit.
Kina është kundërpërgjigjur, duke ulur normën tarifore në 10 për qind në importet amerikane.
Dy palët janë pajtuar për t’i pezulluar masat tregtare pas bisedimeve që kanë zhvilluar në muajin maj në Gjenevë, duke u pajtuar për një pauzë 90-ditore derisa të zhvillohen negociatat.
Palët janë takuar sërish në Suedi në fund të korrikut, mirëpo nuk kanë bërë të ditur ndonjë marrëveshje.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka thënë se Uashingtoni është “optimist” për rrugën përpara.
Marrë nga Associated Press