Shqipëria nuk është në radhën e atyre vendeve me ekonomi vibruese të zhvilluara fuqishëm, pavarësisht se ka një rritje të turizmit sikurse raportohet në shkallë botërore.
Global Inovation Index ka publikuar së fundi raportin e këtij viti, në vitin e 18-të që kur është krijuar kjo iniciative, me të dhënat e gjeneruara nga universitetet më të mira në botë që masin performancën ekonomike të vendeve në disa sektorë.
Zvicra hap tabelën e vendeve me 66.0 pikë. Shqipëria renditet në vendin e 67-të me 29.6 pikë që duket të jetë mirë në hartën me 139 vende.
Por ajo që bie në sy është se vendet e tjera të rajonit kanë një performancë më të mirë. Serbia përshembull qëndron në vendin e 54-ërt me 31.7 pikë; Rumania në vendin e 49-të; edhe Mali i Zi është klasifikuar para Shqipërisë në vendin e 64-rt; Ukraina një vend në luftë është në vendin e 66, një vend para Shqipërisë; për të mos folur për Kroacinë në vendin e 40-të apo Greqinë fqinje në vendin e 42-të, e Rumaninë në vendin 49-të.
Edhe Maqedonia paraqitet më mirë se ne në vendin e 63-të. Pas kemi lënë vetëm Bosnje Hercegovinën që është klasifikuar në këtë studim në vendin e 92-të me 23.4 pikë.
Raporti vlerëson se Shqipëria hyn mes atyre vendeve që ka një performancë në linjë me zhvillimet e saj ekonomike, në një grup vendesh me Spanjën, Italinë, apo edhe Kroacinë e Greqinë, si dhe fqinjët Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut.
Raporti thekson se një valë e ekonomive të mesme të drejtuara nga India, Turqia, Vietnami, Filipinet, Indonezia, Maroku, Shqipëria dhe Irani vazhdojnë rritjen e tyre që nga viti 2013.
Por ajo që duket shpresëdhënëse në këtë histori është se ndërsa Zvicra mbetet lideri botëror i inovacionit, dhe Kina ka hyrë në top 10-tëshen për herë të parë, vendet me ekonomi të mesme si Shqipëria janë vendet me ngjitjen më të shpejtë. Suedia dhe SHBA mbajnë vendin e dytë dhe të tretë për të tretin vit radhazi.
“Ekonomitë e vendeve lindore dhe shteteve baltike vazhdojnë të fitojnë terren në fushën e inovacionit, duke treguar përmirësim të ndjeshme dhe Shqipëria, Kroacia e Lituania kanë përfituar më shumë” thuhet në raport.
Rritjen e pikëve për Shqipërinë e japin disa indikatorë duke përfshirë investimet në edukim, transformimin digjital dhe ekosistemin e startup-eve.
Marrë nga Newsbomb.al