Në një reagim në rrjetet sociale, deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, u shpreh se Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vazhdon të heshtë ndaj skandalit të publikuar nga SYRI TV, ku Instituti Parlamentar i trajton Enver Hoxhën si “hero i popullit”.
Këlliçi njofton se, në cilësinë e anëtarit të Byrosë së Kuvendit, i ka dërguar një kërkesë zyrtare Peleshit për të mbajtur qëndrim të qartë ndaj kësaj përpjekjeje për rehabilitimin e diktatorit, që ai e cilëson si fyerje të rëndë për qytetarët shqiptarë dhe një tentativë të hapur për të justifikuar neodiktaturën e sotme përmes një rishkrimi të historisë.
Deputeti i PD-së kërkon përgjegjësi direkte politike nga drejtuesit e Kuvendit për lejimin e glorifikimit të figurës së Enver Hoxhës brenda një institucioni shtetëror. Ai kërkon që Kuvendi të reagojë menjëherë dhe pa hezitim në dënimin e qartë të krimeve të komunizmit.
Sipas tij, çdo vonesë është bashkëfajësi dhe një tjetër provë se pushteti aktual po manipulon historinë për interesa politike dhe ideologjike.
Akoma asnjë reagim nga Kryetari i Kuvendit ndaj përpjekjes skandaloze për “rehabilitimin” e diktatorit Enver Hoxha.
Sot, në cilësinë e anëtarit të Byrosë së Kuvendit dhe të deputetit të Republikës së Shqipërisë i dërgova një kërkesë zyrtare Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për të mbajtur qëndrim mbi trajtimin e figurës së Enver Hoxhës si hero i popullit nga vetë Instituti Parlamentar.
Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga publikimi i rastit të turpshëm dhe fyes për çdo shqiptar, çdo minutë që kalon vetëm sa e ngarkon me faj kryeparlamentarin dhe partinë në pushtet, e cila me metoda perfide mundohet të zhbëjë historinë dhe të justifikojë neodiktaturën me një rrëfim të shtrembër mbi diktatorin.
Kuvendi duhet të reagojë sot, pa asnjë dyshim apo hezitim në dënimin e krimeve të komunizmit.
Çdo gjë tjetër është thellësisht fyese dhe kriminale ndaj dinjitetit të çdo shqiptari që e çmon lirinë, të drejtën dhe shtetin demokratik.
Marrë nga Syri.net