Parisi, qyteti ku jetoi shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare dhe ku i ngjizën disa nga faqet më të ndritura të letërsisë shqipe, ka vendosur të nderojë figurën e tij duke vendosur një pllakatë përkujtimore në shtëpinë e tij.
Dje, Këshilli Bashkiak i Parisit ka vendosur të votojë unanimisht për vendosjen e një pllake përkujtimore në adresën e apartamentit të familjes Kadare, 63 boulevard Saint-Michel 75005.
Ky është një nderim i merituar për autorin me famë botërore që ngriti lart zërin e Shqipërisë dhe kulturës shqiptare në letërsinë universale. Ky gjest i Parisit – kryeqytetit të kulturës europiane – është një përulje ndaj veprës së Kadaresë, e cila u lind në Gjirokastër, u rrit në Tiranë dhe u përjetësua në Paris.
Në atë qytet, Kadare shkroi një pjesë të madhe të veprave të tij, duke u bërë ura më e ndritshme mes Shqipërisë dhe botës. Nderim për Kadarenë. Nderim për Shqipërinë që ai e bëri të njohur në çdo kontinent. Nderim për Parisin që e përqafoi dhe e nderoi si një të vetin.
Edhe vajza e shkrimtarit të madh, diplomatja Besiana Kadare ka konfirmuar lajmin e bukur dhe falenderon Francën për nderimin e figurës dhe veprës së babit të saj.
“Parisi i bëri dje një nderim të denjë Ismail Kadaresë, në qytetin ku ai jetoi dhe krijoi një pjesë të veprës së tij universale. Këshilli Bashkiak i Parisit votoi me unanimitet për vendosjen e një pllake përkujtimore në adresën tonë 63 boulevard Saint-Michel 75005, ku lindën disa nga faqet më të ndritura të letërsisë shqipe.
Kadare ishte një ndërgjegjje evropiane e farkëtuar në tokën shqiptare. Ai e përshkroi identitetin dhe rrugëtimin e kombit shqiptar si thellësisht evropian shumë përpara se ta njihte Brukseli.
Ky gjest fisnik i Evropës nderon jo vetëm autorin, por edhe Shqipërinë dhe kontributin e kulturës sonë në ndërtimin e qytetërimit shpirtëror evropian, përtej kufijve dhe politikës. Disa herë janë të tjerët që na kujtojnë më mirë se kush jemi dhe çfarë i kemi dhënë botës. Faleminderit Parisit dhe Francës për këtë përkujtim plot dritë”, shkruan Besiana Kadare.
Marrë nga Newsbomb.al