Presidenti Bajram Begaj, ka depozituar një shkresë në Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shpalljen e moskompetencës për çështjen e Erion Veliajt, i cili ka ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra si kryetar i Bashkisë Tiranë. Në shkresë Presidenca i kërkon GJK të heqë pezullimin e dekretit në fillim të seancës së 31 tetorit, duke argumentuar se pezullimi ka penguar zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Bashkinë Tiranë.
Presidenca kërkon në shkresë që GJK të rrëzojë kërkesën e Veliajt, duke e cilësuar atë si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës dhe të urdhërojë KQZ që të nisë përgatitjet për zgjedhjet e reja në Bashkinë Tiranë, në një datë që do të caktohet nga GJK, por jo më herët se 30 ditë pas hyrjes në fuqi të vendimit përfundimtar.
Pjesë nga shkresa e Begajt drejtuar Gjykatës Kushtetuese
Institucioni i Presidentit të Republikës, në cilësinë e palës së interesuar, i kërkon Gjykatës Kushtetuese:
Të deklarojë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 moskompetencën lidhur me dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
Të vendosë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 heqjen e pezullimit për dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
Të vendosë në përfundim të seancës rrëzimin e kërkesës së Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës;
Për shkak se pezullimi ka pamundësuar zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës, të urdhërojë në përfundim të seancës KQZ-në për përgatitjen e zgjedhjeve për këtë bashki në datën që do të përcaktojë Gjykata Kushtetuese, datë e cila nuk duhet të jetë më e hershme se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në vlerësimin tonë si palë e interesuar, vetëm një procedim i tillë mund të rikthejë kushtetutshmërinë e këtij procesi ankimi, të cenuar në mënyrë arbitrare nga vetë Gjykata Kushtetuese.
Çfarë ka ndodhur me zgjedhjet në Tiranë?
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë. Vendimi i Kushtetueses ka ardhur pasi, Erion Veliaj ankimoi vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiak i Tiranës si dhe dekretin e Begajt për zgjedhjet.
Begaj dekretoi datën 9 nëntor për zgjedhjet e pjesshme në 6 Bashki, përfshi dhe Tiranën. Dekretimi i Begajt për zgjedhjet në Tiranë erdhi një ditë pasi Kushtetuesja e quajti procesin të pezulluar. Ndërsa më 2 Tetor, avokatët e Veliajt depozituan në Kushtetuese një ankim ndaj dekretit të Presidentit të Republikës, që shpalli vakancën në Bashkinë e Tiranës dhe vendosi datën e zgjedhjeve të pjesshme.
Tashmë Bashkitë që do të hyjnë në zgjedhje të parakohshme janë Vlora, Berati, Mati, Cërriku dhe Tepelena. Në tre bashki Berat, Mat dhe Tepelenë, kryetarët dhanë dorëheqjen për tu bërë deputetë. Në Cërrik, kryetari i bashkisë Andis Hasalla u emërua në kabinetin qeveritar si Ministër i Bujqësisë. Në Vlorë kryetari i bashkisë Ermal Dredha dha dorëheqjen pas sulmeve të Ramës. Ndërsa në Tiranë Veliaj u shkarkua nga Këshilli Bashkiak me urdhër nga kryeministri Rama.
Marrë nga Dosja.al