Për vite me radhë, ishte një dukuri e zakonshme: Banditët holandezë shkonin me veturë në Gjermani dhe në mes të natës hidhnin në erë bankomatët, merrnin para dhe ktheheshin me shpejtësi në shtëpi përmes “Autobahnit”.
Sulmet ndaj bankomatëve kanë rënë në 115 deri më tani këtë vit, më pak se një e katërta e kulmit të tyre prej më shumë se një në ditë, 496 në vitin 2022, sipas të dhënave të policisë gjermane të ofruara për Reuters.
Shpërthimet e shumta kanë terrorizuar banorët në të gjithë Gjermaninë, ku ndryshe nga vendet e tjera – paratë e gatshme mbeten të preferuara dhe bankomatët shpesh ndërtohen direkt poshtë apartamenteve dhe në zonat e këmbësorëve. Dëmi ka arritur në më shumë se 400 milionë euro që nga viti 2020.
Tani bandat po shkojnë pak më tej në Austri, ku përdorimi i parave të gatshme është ende i përhapur.
Sulmet në Austri janë dyfishuar këtë vit, dhe BKA-ja i ka thënë Reuters se ka të ngjarë që kjo të jetë pasojeë e “një efekti shtrydhjeje nga Gjermania”.
Gjermanët ende duan të përdorin para cash
Duke nënvizuar zhvendosjen drejt Austrisë, prokurorët thanë se një holandez që vodhi 220,000 euro nga bankomatët pranë Frankfurtit në vitin 2023, hodhi në erë bankomatët në Vjenë në fillim të këtij viti, duke arritur të marrë 89,000 euro plaçkë dhe duke shkaktuar 1.5 milionë euro dëme.
Me kalimin e viteve, ky version modern i grabitjes së vjetër bankare lindi nga dy faktorë qartësisht gjermanë, thonë hetuesit.
Së pari, Gjermania është një komb i pasur, banorët e të cilit pëlqejnë të përdorin para cash për blerje, që do të thotë se bankomatët janë të shumtë. Dhe së dyti, rrjeti i famshëm i autostradave të Gjermanisë e bën arratisjen të shpejtë.
Masat përfshijnë mekanizma që ndër të tjera, lëshojnë ngjyra që i bëjnë kartëmonedhat të papërdorshme. Për më tepër, shumë banka tani i mbyllin hapësirat pranë bankomateve natën.
Por, vjedhjet janë më pak të sofistikuara se shumë mashtrime online, ku forcat e rendit në Gjermani dhe në të gjithë globin po përballen me një rritje.
Rastet bien në Gjermani, rriten në Austri
Rastet kanë rënë këtë vit në të gjitha, përveç tre prej 16 shteteve të Gjermanisë, sipas statistikave të policisë.
Pavarësisht rënies, dëmet kolaterale janë ende të konsiderueshme, thotë policia atje, teksa një sulm në janar pranë Këlnit shkaktoi 1.8 milionë euro dëme.
Policia ia atribuon bashkëpunimit me hetuesit holandezë gjetjen dhe kapjen e të dyshuarve. Shumica e fajtorëve kanë qenë holandezë, por disa janë gjermanë, francezë dhe moldavë.
Javën e kaluar, parlamenti i Gjermanisë votoi për të rritur burgimin për një sulm të tillë.
Në Austri, rastet janë rritur në 29 deri më tani këtë vit, nga 13 në vitin 2024, sipas shifrave nga ministria e Brendshme, e cila ka thënë se i zbuloi për herë të parë bandat holandeze në vitin 2023.
Policia atje ka thënë se po bashkëpunon ngushtë me policinë në Gjermani dhe Holandë.
Marrë nga Reuters